Maqedoni, Ali Ahmeti rizgjidhet kryetar i BDI-së
Ali Ahmeti do të jetë sërish kryetari i Bashkimit Demokratik për integrim, partia shqiptare në koalicionin qeveritar maqedonas, pas zgjedhjeve të së dielës. Rezultati nuk ishte aspak befasues pasi fitorja e tij ishte e pritshme. Ali Ahmeti ishte kandidati i vetëm në këto zgjedhje, ku morën pjesë 690 delegatë. Si kryetar i sapozgjedhur i BDI-së, Ali Ahmeti tha në fjalimin e tij, pasi iu uroi mirëseardhjen të gjithë delegatëve dhe të ftuarve të pranishëm, se Kongres po mbahet në kohën e zhvillimeve me rëndësi historike për Maqedoninë dhe rajonin. “Po bëhen hapa serioze drejt integrimit, për të cilën partia jonë ka dhënë kontribut të çmuar, në këto shtatë vite kemi qenë bashkë në çdo rrethanë. Pikërisht kjo forcë e na ka bërë që këtyre shtatë viteve të jemi më të fortë më të mëdhenj dhe ta ndërtojmë bashkërisht familjen e madhe të quajtur Bashkimi Demokratik për Integrim”, tha lideri i BDI-së, i cituar nga MIA. Megjithatë, ai e ka pranuar faktin se shqiptarët në Maqedoni janë mjaft të diskriminuar, pasi kreu shtetëror nuk udhëhiqet nga asnjë shqiptar. “Në 12 pozicionet kryesore udhëheqëse në shtet nuk ka asnjë shqiptar. As presidenti, as kryeministri, kryetari i Parlamentit, ministri i Punëve të Jashtme, i Punëve të Brendshme… etj, asnjë nga udhëheqësit e këtyre institucioneve nuk janë shqiptarë ose nga komunitetet e tjera”, tha Ahmeti. Ai shtoi për çështjen e emrit se, ajo duhej zgjidhur nëpërmjet bisedimeve.