Evropa “ngrin”, vdesin dhjetëra të pastrehë e anulohen fluturimet
Bora dhe i ftohti kanë goditur Evropën gjatë këtyre ditëve, sidomos pjesën veriore të kontinentit, duke lënë mijëra njerëz të bllokuar nëpër trena, në stacione, strehime, rrugë dhe aeroporte, madje edhe duke provokuar viktima. Nga të pastrehët, 15 persona kanë vdekur në Poloni, një i papunë nuk i ka rezistuar të ftohtit ndërsa qëndronte në kamperin e tij, një i pastrehë polak në Francë, dy meshkuj 19 dhe 43 vjeç në Austri dhe një në Gjermani. Të gjithë aeroportet e Belgjikës janë mbyllur dje, aeroporti gjerman i Dyseldorfit dhe ai britanik i Mançesterit. I ftohti vazhdon prej disa ditësh në Evropë, dhe temperatura rekord e shënuar ishte -33,6 °C gjatë natës së të premtes në Bavari (Gjermani). Ndërsa autoritete franceze kanë ndezur alarmin mbi motin e keq në 50 nga 95 rajone të vendit. Qarkullimi i trenave Eurostar mes Londrës e Parisit, është bllokuar që nga e premtja në mbrëmje për probleme teknike, duke detyruar të paktën 2.000 pasagjerë të kalojnë natën në tunel. Edhe trenat e tjerë të linjave franceze kanë qenë të detyruar të udhëtojnë me shpejtësi të ulët, duke vonuar me orë mijëra njerëz në stacione. E njëjta situatë ka qenë edhe në Austri dhe në vendet e ulëta, ku autoritetet i kanë këshilluar qytetarëve të mos përdorin udhëtime me tren. Për sa i përket transportit ajror, aeroportet belge në Bruksel, Charleroi (jug) e Liegi (lindje) janë mbyllur për shkak të dëborës. Dhjetëra fluturime janë anuluar edhe në aeroportet e Amsterdamit, si ai Schiphol, ndërsa të tjerë kanë shënuar vonesa dy orëshe. Në Paris, anulimet e fluturimeve kanë përfshirë të paktën 40 për qind të fluturimeve që nga mëngjesi i djeshëm. Koha e keqe ka goditur edhe jugun e Evropës. Portugalia ka njoftuar gjendjen e jashtëzakonshme në shumë rajone të veriut dhe të qendrës.