PDK-LDK, dakord për rivotimin
PDK dhe LDK kanë rënë dje dakord me vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), i cili ka udhëzuar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) që të përsërisë votimet e balotazhit në tri komuna: Prizren, Gjilan dhe Lipjan. Hajredin Kuçi, nënkryetar i PDK-së, tha se “PDK konsideron se KZAP-i si institucion i pavarur ka marrë një vendim sipas kompetencave kushtetuese dhe ligjore që ka, dhe e njeh këtë vendim”. Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se kjo parti: “E pranon vendimin nga organi kushtetues, i cili është i thirrur dhe është i vetmi autoritet më i lartë që të shqyrtojë të gjitha ankesat, rregullshmërinë e procesit dhe procedurat zgjedhore”. Pas shqyrtimit të 43 ankesave, KZAP ka udhëzuar KQZ-në të urdhërojë përsëritjen e votimit në tre komunat. Ndërsa vendimi i KQZ-së do të merret sot, nëse do të ketë përsëritje në katoi tri zona apo jo.