Kryekomunari i Bradasheshit: Zbatova ligjin
TIRANE - Sabri Sollaku, kryekomunari i Bradasheshit të Elbasanit ka reaguar dje pas publikimit të faktit se ndaj tij ishte depozituar një kallëzim penal nën akuzat: “shkatërrim të pronës shtetërore” dhe “vjedhje”. Kjo për prerjen e 378 metra linearë tuba me vlerë 8.2 milionë lekë të vjetra në uzinën e Nikel-Kobaltit në ish-kombinatin Metalurgjik Elbasan, për shkak të mospagimit të taksave lokale nga ky subjekt. Nisur nga fakti që kjo uzinë nuk kishte paguar taksat në komunë, kreu i komunës së bashku me disa vartës të tij me sharra në duar kanë prerë dhe sekuestruar tubat për të kompensuar taksat e pashlyera, duke bërë në këtë mënyrë veprime vetëgjyqësie. Duke pretenduar se ka zbatuar ligjin kryekomunari i Bradasheshit Sabri Sollaku pohon se në bazë të ligjit për taksat vendore, uzina e Nikel-Kobaltit nuk përjashtohej nga detyrimi i taksave mbi ndërtesat. “Meqë ky subjekt nuk ka paguar detyrimet lokale si shumë të tjerë me status të njëjtë që i kanë paguar rregullisht ato, si: Ndërmarrja e Koksit, Ndërmarrja e TEC-it dhe Ndërmarrja e çelikut, komuna sipas ligjit ka zbatuar të gjitha procedurat për sekuestron e tubave të çelikut”, pohon kryetari Sollaku në reagimin e tij. në lidhje me këtë Sollaku ka vënë në dispozicion edhe disa dokumente që sipas tij përligjin veprimin e kryer, ndërsa pretendon se në vitin 2005 Prokuroria e Elbasanit për të njëjtën akuzë ka vendosur pushimin e çështjes, duke argumentuar se veprimet e kryekomunarit ishin të mbështetura në ligj. Po kështu ai pretendon me dokumente se ish-prefektja e atëhershme e Elbasanit e ka konfirmuar veprimin e tij dhe se në mbështetje të tij gjatë prerjes së tubave kanë qenë edhe efektivë të policisë. “Sa për mallin e sekuestruar, tuba çeliku, ky mall nuk është shitur nga komuna me çmim skrapi, por një pjesë ndodhet gjendje pranë komunës dhe pjesa tjetër është përdorur për ura dhe nënkalime të vogla për rrugët e fshatrave të komunës. Ju vëmë në dijeni se aktualisht Nikel-Kobalti ka detyrime të papaguara komunës Bradashesh në shumën 5.73 milionë lekë të reja dhe sipas ligjit jemi të detyruar të bëjmë bllokimin e llogarive bankare të këtij subjekti dhe njëkohësisht të bëjmë kallëzim penal për të”, përfundon deklarata e kryekomunarit Sollaku. fa.ma.