“George Sand” sjell 32 punime në galerinë “Jozef”
Plot 32 punime në grafikë, që kanë në qendër kryesisht gruan, feminilitetin dhe përballjen e saj me botën, u paraqitën mbrëmjen e djeshme në galerinë e arteve “Jozef” në qytetin e Durrësit në një ekspozitë grafike, “Nga ëndrra në realitetin artistik", të piktores italiane, Donatela Seritela, që siglon në punimet e saj nën emrin "George Sand". Artistja nga Ankona i nënshkruan tablotë e saj me emrin e personalitetetes së njohur të kulturës europiane të shek. XIX, të cilin e konsideron si emrin "artistik". Për piktorin Nikolet Vasia, "teknika është kërkesa e përhershme e autores, që realizon njollën, sipërfaqet, linja drithëruese dhe ekspresive, prekjet delikate dhe të gjitha së bashku transmetojnë variacionin emocional për temat e saj. Grafikat e piktores italiane sjellin prova artistike të realizuara në teknikat e incizimit me ujë të ngjyrosur dhe të fortë, ndërsa në raste të veçanta, provon me sukses edhe efektet e kripës apo të sheqerit mbi telajo". Artistja italiane thotë për ATSH-në, se ka zgjedhur si emër arti George Sand, siç mund të zgjidhte Sharles Baudleir, për shkak të kontradiktës filozofike mes tyre, ndërsa ndjen se piktura ka qenë një mundësi shumë e mirë për ta afruar mendimin intelektual të personaliteteve evropiane përmes grafikave të saj.
Në dhjetor të vitit të kaluar artistja ekspozoi punët e saj në Galerinë e Arteve të Bukura në Tiranë Ekspozita, ndërsa tashmë ekspozita “Nga ëndrra në realitetin artistik” do të qëndrojë e hapur në galerinë e arteve “Jozef” në Durrës deri më 15 prill.
8 Prill 2009