Mima: Eurobondi, jo problem për buxhetin
Shqipëria edhe nëse nuk arrin ta mbyllë me sukses emetimin e një eurobondi në tregjet ndërkombëtare ka alternativa të tjera. Sipas ish-zëvendësministrit dhe deputetit Florion Mima, nëse nuk arrihet që 400 milionë eurot e kërkuara të sigurohen në tregjet e huaja, Qeveria ka alternativën e marrjes së borxhit brenda vendit, kjo nëse situata do ta kërkojë. “Ajo që qëndron në pikëpyetje këtu është interesi me të cilin do të sigurohet ky borxh i brendshëm”, shprehet Mima. Sipas tij, pavarësisht rënies së nivelit të kreditimit nga bankat dhe rënies së nivelit të investimeve publike, kjo nuk duhet të interpretohet si një hap drejt recensionit. Ndërkaq, duke iu kthyer alternativës së një borxhi të brendshëm, edhe pse duket një zgjidhje që mund t’i shërbejë Qeverisë për financimin e buxhetit apo pagesës së kredisë së shtrenjtë të marrë vitin e kaluar, kjo ende mbetet për t’u parë. Në kohën kur tregjet financiare të huaja janë “çmendur” dhe investitorët po qëndrojnë skeptikë ndaj investimeve të mundshme, Qeveria shqiptare deklaron se nuk është tërhequr nga eurobondi. Deklaratën e bëri kreu i ekzekutivit, Sali Berisha, një javë më parë kur tha se vendi ynë po pret që të qetësohen tregjet e huaja për të vazhduar sërish procesin. Ndërkohë që situata nuk u paraqit me kaq optimizëm nga ekspertët e Bankës Botërore, të cilët një javë më parë deklaruan se situata më e mirë për emetimin e një eurobondi ishte deri në prill, kur tregjet ishin të qeta dhe investitorët kishin siguri. Tashmë ajo që kushton më shumë është primi i sigurisë së një eurobondi, i cili e rrit jashtëzakonisht koston për vendet e interesuara. Ndërkohë që maji është cilësuar si muaji më i keq, kur tregjet pësuan rënie të tejskajshme, duke shënuar vlerat më të ulëta të shitjeve dhe fitimit. Për tregjet financiare në Europë ndikimin e dha drejtpërdrejt kriza greke. Niveli borxhit i vendit tonë fqinj u klasifikua si “junk”, duke krijuar kështu panik dhe rritje të interesave të eurobodnit. Deri para kësaj situate Shqipëria kishte mundësi që të siguronte një borxh me një normë interesi shumë të mirë, madje edhe nën 7.5 për qind, ndërsa pas kësaj interesat e eurobondeve nuk ishin aspak të leverdishëm.