E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vlerësim i saktë dhe korrekt për testet e Letërsisë”



“Maturantët do të ngelen të kënaqur nga vlerësimi i saktë që do t’u bëhet testeve të letërsisë”. Këtë deklaratë bëri dje kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë inspektimit të Qendrës së Vlerësimit të Provimeve të Maturës Shtetërore, në Tiranë. Ajo është ngritur në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Sabaudin Gabrani”. Pasi ka parë nga afër procesin e vlerësimit të provimit të parë, atij të Letërsisë, Ministri i Arsimit ka deklaruar se korrigjimi i testeve po zhvillohet pa probleme. “Janë 60 për qind e testeve që korrigjohen në këtë qendër, procesi zhvillohet shumë normalisht. Korrigjimi bëhet nga tre persona dhe jam i sigurt që gjimnazistët me vlerësimet do të jenë shumë të kënaqur. Pra, qëllimi jonë është që asnjë gjimnazisti mos t’i humbasë qoftë 0.01 pikë dhe jo më 1 pikë”, bëri të ditur Tafaj. Ndërkohë, ai u shpreh se vlerësimi bëhet nga tre korrigjues, dhe ai pranohet si i saktë, vetëm nëse e miraton përgjegjësi i grupit, pavarësisht se rezultatet mund të jenë të ndryshme. “Përgjegjësi i grupit të vlerësimit e konsideron një test të korrigjuar saktë, vetëm atëherë kur sheh që vërtet korrigjuesit kanë punuar mbi fletë, pavarësisht se pikët secili i kanë në formularë me vete”, tha Tafaj. Vetëm pas një jave, në datën 15 qershor, maturantët do t’i nënshtrohen provimit të dytë të detyrueshëm, atij të Matematikës. Më tej, më datë 30 qershor ata do të japin lëndët me zgjedhje. Me marrjen e rezultateve të provimeve të detyruara, maturantët do të plotësojnë formularin A2 ku do të zgjedhin degët e preferuara në universitete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›