Minatorët, gati ligji për skemën e re të pagesave
Trajtim të veçantë për minatorët dhe të gjithë personat që kanë punuar në profesione të vështira. Këshilli Kombëtar i punës miratoi dje draftin e hartuar nga Ministria e Ekonomisë. Prej tij do të përfitojnë 3000 persona. Ndonëse në protestat e tyre minatorët kanë kërkuar uljen e moshës së pensionit, me projektligjin e ri ata nuk do ta kenë këtë të drejtë. Por si kompensim, deri sa të plotësojnë moshën e pensionit, do të përfitojnë pagesën kalimtare. Veç tyre e njëjta procedurë do të ndiqet edhe me personat që janë në listën e 117 profesioneve të kategorizuara si të vështira. Zv.ministri i Ekonomisë, Neritan Alibali ka shpjeguar se në botë nuk ekziston një status për profesionet e vështira, por vetëm trajtime të veçanta për to. “Ne u përpoqëm të bëjmë të mundur atë që mund të bëhet brenda kushteve të Shqipërisë, duke mbajtur një ekuilibër midis kërkesave të sindikatës dhe të punë-dhënësve”, u shpreh Alibali. Ai theksoi se pagesa nuk do të jetë më e ulët se pensioni minimal, pra rreth 11 mijë lekë dhe jo më e lartë se dy pensione të tilla, pra rreth 21 mijë lekë. Fondi për të financuar pagesat shtesë nuk do të jetë pjesë e buxhetit të shtetit. Sipas zv.ministrit për fondin kontribuojnë punëdhënësit, punëmarrësit, sindikatat dhe Qeveria me dy për qind të rentës minerare. “Përfitojnë ata minatorë që kanë mbi 15 vite punë nën tokë, si dhe ata punonjës të tjerë të industrisë së naftës e industrisë kimike, të cilët duhet të kenë 26 vite pune dhe të kenë paguar siguracion”, tha zëvendësministri i Ekonomisë. E shpjeguar më thjesht, nëse një person që ka ushtruar profesionin e minatorit ka punuar 15 vite në minierë dhe është sot 45 vjeç, deri sa të mbushë moshën e pensionit 65 vjeç do të përfitojë pagesën kalimtare që minimalisht do të jetë 11 mijë lekë në muaj. E njëjta gjë do të vlejë edhe për punonjësit e industrisë së rëndë, të cilët duhet të kenë mbushur 26 vite punë. Skema e saktë e pagesave nuk është përcaktuar ende, por dihet që ajo varion nga 11 mijë - 21 mijë lekë. Përfaqësuesit e Sindikatave, të pranishëm në Këshillin Kombëtar të Punës, e përkrahën projektligjin e ri i cili sipas tyre gjen zgjidhje për disa nga kërkesat e tyre. “Takimi me juve ka qenë shumë konstruktiv, i pranueshëm, i kuptueshëm nga ana jonë dhe ne kemi dhënë të gjithë OK tonë për realizimin e këtij pr/ligji dhe të miratohet sa më shpejt në Parlament”, tha Gëzim Kalaja, president BSPSH. Projektligji për trajtimin e minatorëve pritet të kalojë së shpejti për miratim në komisionet parlamentare, ku do të shqyrtohen edhe kërkesat apo propozimet e mundshme nga grupet e interesit.