E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja e ajrit, ISHP: Tirana si Nju-Delhi

Qendra e Tiranës renditet si një nga kryeqytetet më të ndotura të Europës, ndërkohë që më keq për cilësinë e ajrit, pas saj, është Pekini dhe Nju-Delhi. Të dhënat më të fundit që raporton Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) vazhdojnë ta rendisin Tiranën si kryeqytetin më të ndotur në Europë, por dhe Shqipërinë ndër vendet më të ndotura, përkrah Pekinit dhe Nju-Dehlit. Sipas specialistëve të ISHP-së, qendra e Tiranës është zona me ndotjen më të lartë, kjo si pasoje e grimcave të pluhurit të cilat janë mbi normat e lejuara të Bashkimit Europian. “Ka një shkallë që përdoret në studimet e cilësisë së ajrit të lidhura me shëndetin e popullatës apo rrezikshmërinë ndaj popullatës. Kjo shkallë ka 10 njësi. Kur është mbi 10 është shumë keq. Shifra 9.4 rikonfirmon që qendra e Tiranës hyn në një nga kryeqytetet e Europës, të mos them më i ndoturi. Më keq se Tirana për cilësinë e ajrit është Pekini dhe Nju-Delhi”, - thotë Agron Deliu, specialist në ISHP për ndotjen. Në këto kushte, specialistët shprehen se ndërhyrja për ndryshimin e situatës është tepër emergjente. Sipas tyre, një nga rrugët që do t’i jepte zgjidhje të shpejtë është shtimi i hapësirave të gjelbra. Nëse në vitet ‘90 për çdo banor kishte 10 metra katrorë gjelbërim, tashmë ka arritur 3 metra katrorë për banor. “Hapësirat e gjelbra janë një nga masat që ndihmojnë përthithjen e kësaj ndotjeje”, - pohon Deliu. Ndërkaq, specialistët e Shëndetit Publik u bëjnë thirrje të gjitha strukturave, si atyre të pushtetit lokal, por edhe qendror, që të ndërhyjnë, pasi kjo ndotje do të sjellë një sëmundshmëri të madhe në popullatë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›