Apartamentet, Olldashi: Gati lista për të pastrehët
Fabiola Çela
Qeveria do të përballojë interesat e kredive për blerjen e 6 mijë apartamenteve për familjet e pastreha. Në një deklaratë për mediat, kreu i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, u shpreh se është duke u kryer edhe një herë evidentimi i familjeve që do të përfitojnë nga ky program i qeverisë.
Banesat
Përveç ndërtimit të banesave sociale me qira, qeveria ka në plan edhe program tjetër për të pastrehët. Ajo do të përballojë interesat e kredive për 6 mijë apartamente për të pastrehët.
“MPPTT ka nisur menjëherë punën për përditësimin e listave dhe për dhënien e një zgjidhjeje urgjente të këtij problemi, që do të jetë një ndihmë e madhe për të gjithë këto familje të pastreha për dy grupe familjesh; ata që banojnë në shtëpitë e ish- pronarëve, por dhe për një grup po kaq të madh familjesh që janë të listuara pranë bashkive të vendit, si familje që kanë përfituar statusin e të pastrehëve”, u shpreh ministri Olldashi. Strehimi i familjeve të pastreha ka qenë edhe një ndër premtimet kryesore të Partisë Demokratike gjatë fushatës elektorale. Në deklaratën e tij, Olldashi ka analizuar në detaje të gjithë programin e qeverisë demokrate për strehimin e familjeve të pastreha. Sipas ministrit, qeveria ka arritur të përmbushë edhe premtimin e kryer në fillim të mandatit të saj. “Me këtë ndërhyrje prej 6 mijë apartamentesh, ne shkojmë në një shifër rekord zgjidhjesh për problemin e strehimit”, tha ministri. Konkretisht duke filluar nga viti 2005 e deri më sot në total janë 920 apartamente të ndërtuara ose të blera, nga ku prej tyre 800 apartamente janë të blera, 120 blerje nga tregu, 18 apartamente që kanë bërë pjesë në programin për përmirësimin e jetesës së komunitetit rom. Këtyre iu shtohen 750 apartamente me mbulim me subvencionim të kredisë, 1100 apartamente të kontraktuara me Bankën e Këshillit të Evropës dhe me lëvrimin e fondeve për bashkitë e mëdha, të cilat aktualisht po kryejnë prokurimin, duke e çuar këtë kuotë në 2770 apartamente, të cilave do t’iu shtohen dhe 6 mijë të tjera dhe kuota shkon në 8770. Nga këto 6 mijë, 3257 janë familje të pastreha që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, pjesa tjetër do të jetë pjesë që do të merret nga listat e atyre familjeve që me vendimet e njësive të qeverisjes vendore, pra bashkive të mëdha të vendit, pasi ky problem ekziston kryesisht me bashkitë e mëdha, do të asistohen nga qeveria përmes blerjes së banesës në treg përmes kredive, interesat e të cilave do të subvencionohen nga shteti. “Me këtë ndërhyrje të fundit kuota e familjeve që do të përfitojnë nga politikat e qeverisë për strehimin shkon në 8770”, ka deklaruar ministri Olldashi.
Ndërtuesit në krizë, qeveria gati paketën e ndihmës
Qeveria duket se ka gati paketën e ndihmës për sektorin e ndërtimit. Pak ditë më parë në një deklaratë për mediat, Shoqata e Ndërtuesve deklaroi se sektori i ndërtimit është zhytur në një krizë të thellë. Si pasojë e krizës, shitjet e banesave kanë rënë ndjeshëm, madje sipas tyre janë 4 mijë apartamente të përfunduara, por që nuk janë shitur. Përballë një situate të tillë, qeveria ka vendosur që të marrë një vendim, me anë të të cilit ndihmon jo vetëm familjet e pastreha, por edhe vetë sektorin e ndërtimit. “Në mënyrë indirekte ky është një përfitim jo vetëm për të pastrehët, por edhe për sektorin e ndërtimit, pasi është një kuotë jo e vogël apartamentesh që hidhen në treg me kredi që do subvencionohen nga qeveria”, ka thënë dje ministri Olldashi. E thënë ndryshe, qeveria po i ndihmon ndërtuesit për të shitur apartamentet e tyre, e marrë kjo si një paketë ndihme për ata që të përballojnë këtë krizë në sektorin e ndërtimit.
“Prishjet në Jalë, përgjegjësi e Bankës”
Ndaj shembjeve të ndërtimeve në zonën bregdetare të Jalës ka reaguar edhe ministri Olldashi, ku sipas tij qeveria nuk është përgjegjëse për këto prishje. Në lidhje me deklaratën e tij, drejtori i Panelit të Inspektimit pranë BB-së mbi Projektin e Jugut, Olldashi u shpreh se në këtë deklaratë theksohet se zyra e koordinatorit për shkak të gabimit të vetë Bankës në përcaktimin e termave të referencës të projektit ka vënë në dispozicion të institucioneve shqiptare, gjë që ka qenë dhe detyrim i saj në bazë të ‘add memoireve’ të Bankës, fotot e monitorimit të të gjithë bregdetit të Jugut, por kjo ka qenë në detyrim të zyrës së koordinatorit. “Këtu është konflikti që zyrat e Bankës kanë me njëra-tjetrën dhe jo me ne, me qeverinë shqiptare dhe jo me Njësinë e Implementimit të Projektit, që është pjesë e qeverisë shqiptare”, ka thënë ministri. Madje, sipas Olldashit, zyrtarët e Bankës Botërore kanë qenë shumë të saktë në deklaratën e tyre, ku theksohet se “problemi është i politikës së Bankës, që problemi ka të bëjë me zhvendosjen e pavullnetshme të popullsisë, megjithëse aty nuk kemi të bëjmë me zhvendosje popullsie, por me prishje të ndërtimeve të paligjshme për qëllime biznesi dhe thotë që gabimet janë të Bankës që në momentin që ka konceptuar projektin dhe ka përgatitur termat e referencës dhe jo të Njësisë së Implementimit të Projektit dhe jo të qeverisë shqiptare”. Shembja e ndërtimeve në Jalë ka ngjallur reagime të ashpra nga ndërkombëtarët, por jo vetëm. Vetëm pak ditë më parë në lidhje me dëmshpërblimin apo jo të banorëve, ministri i Financave, Bode sqaroi se, “qeveria për të gjitha rastet që dëmton në mënyrë të paligjshme pasurinë e individëve detyrohet të dëmshpërblejë. Ky është rregull i përgjithshëm jo vetëm për këtë zonë, por për të gjithë territorin e vendit, në qoftë se ka raste kur ndërtimet kanë qenë të lejuara dhe janë prishur ndërtime me leje, qeveria është e detyruar të bëjë dëmshpërblimin”.
Kushtetuesja rrëzoi pronarët në 2007
Gjykata Kushtetuese ka shpallur si antikushtetues nenin 9 të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Ky nen synonte të rregullonte marrëdhëniet mes pronarëve të banesave dhe qiramarrësve të tyre deri në vendosjen e tyre në banesa për të pastrehët. Në prill të vitit 2007, një vit pasi qeveria kishte përmirësuar ligjin e vitit 2004, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi sërish këtë nen, pasi sipas saj, ai nuk zgjidhte problemin përfundimtar të strehimit, të familjeve të pastreha, të cilat banonin në banesa të shtetëzuara më parë nga shteti, por që sot i ishin rikthyer pronarëve të parë. Në vendimin e saj, “Gjykata Kushtetuese konstaton, se edhe rregullimi ligjor i bërë nëpërmjet nenit 9 të ligjit objekt shqyrtimi, në esencë, ofron po ato alternativa që ofronte neni 9 i shfuqizuar, të cilat, me vendimin e sipërpërmendur, janë konsideruar jokushtetuese, sepse cenojnë parimin e sigurisë juridike si dhe shkaktojnë diskriminim të një grupi. Kështu, si alternativa të strehimit të qiramarrësve të kësaj kategorie parashikohen plotësimi vetë i nevojave të strehimit, sigurimi i strehimit nga ana e subjekteve të shpronësuara, strehimi nëpërmjet kredisë sipas pikave 1 dhe 2 të ligjit nr. 9232, datë 13.05.2004, “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, si dhe strehimi ose marrja e truallit, në bazë të pikës 3 të ligjit të sipërcituar”, shprehet Gjykata Kushtetuese në arsyetimin e saj. Sipas saj, “ky rregullim ligjor cenon të drejtën e kësaj kategorie qiramarrësish dhe për sa i përket ngrirjes së qirasë, ndërsa detyrimin për lirimin e banesës nuk e lidh me strehimin përfundimtar të qiramarrësve”. Gjithashtu, duke kërkuar që ligji të jetë i barabartë për të gjithë në zbatimin e tij, Gjykata Kushtetuese konstaton gjithashtu, se “një pjesë e qiramarrësve të banesave ish-pronë private kanë përfituar banesë në kushtet e nenit 1 të ligjit nr. 8647, datë 24.07.2000 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8030, datë 15.11.1995 “Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha”. Për pasojë, një trajtim më i pafavorshëm i pjesës tjetër të qiramarrësve, të cilët janë në të njëjtat kushte me të parët, përbën një diskriminim jokushtetues. Sipas gjykatës, zbatimi i këtij ligji shkel parimin e të drejtës dhe barazisë para ligjit. “Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se neni 9 i ligjit në shqyrtim, është në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit, dhe si i tillë duhet të shfuqizohet si i papajtueshëm me Kushtetutën”, shprehet ajo në vendimin e saj. Madje në vendimin e saj gjykata i kërkon qeverisë të bëjë plotësimet ligjore për këtë nen. “Meqenëse me shfuqizimin e dispozitës në shqyrtim krijohet boshllëk ligjor lidhur me trajtimin e qiramarrësve të shtëpive ish-pronë private, në bazë të nenit 78 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i rekomandohet Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë të marrë masa për të bërë plotësimet e nevojshme në ligj. Kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese nga “Shoqata e qiramarrësve të shtëpive shtetërore ish-pronë private”, kërkonte që çështja e strehimit të tyre të zgjidhej sipas ligjit të zbatuar nga qeveria në vitin 1992. “Neni 9 i ligjit nr. 9583, datë 17.07.2006 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” vjen në kundërshtim me rekomandimet e vendimit të mësipërm të Gjykatës Kushtetuese. Ky nen është diskriminues, sepse nuk parashikon detyrimin e shtetit për të marrë përsipër strehimin e qiramarrësve, mbi të njëjtat kritere, që përfitoi pjesa tjetër e popullsisë sipas ligjit nr. 7652, datë 23.12.1992, ‘Për privatizimin e banesave’”, parashtronin në kërkesën e tyre qiramarrësit. a.l
PS: Të pastrehët s’paguajnë dot kredinë, qeveria gënjen
Aristir Lumezi
Partia Socialiste akuzoi dje Kryeministrin Berisha për mashtrimin e radhës, mbi vendimin për sistemimin e 6000 të pastrehëve.
Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erjon Braçe, tha dje se ky është mashtrim i radhës i Kryeministrit Berisha, që nuk mund të realizohet. Kreu i qeverisë premtoi dje për të paguar interesin e kredisë së apartamenteve për 6 mijë familje të pastreha. “Thelbësisht mashtrim, sepse në buxhetin 2009, qeveria nuk ka asnjë fond për të mbështetur financiarisht faturën financiare të ligjëratës mashtruese të Sali Berishës dje. As për interesat as për principalet, pra nuk ka para për kredi, por natyrisht nuk ka para as për shtëpi”, tha dje Braçe gjatë një konference për shtyp në ambientet e grupit parlamentar socialist. Reagimi i PS vjen në kuadër të deklaratës së bërë dje nga kreu i qeverisë për të paguar interesin e kredisë së apartamenteve për 6 mijë familje të pastreha, 3000 nga të cilat banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Braçe solli një sërë argumentesh se pse vendimi i qeverisë është i gënjeshtër dhe i parealizueshëm. “Më thoni, me ç’para, një i pa strehë i papunë do të paguajë principalin? Më thoni, me ç’para, një pensionist i pastrehë do të paguajë principalin? Më thoni, me ç’para, një mësues, infermier, ushtarak, polic, i pastrehë, me një rrogë qesharake do të paguajë principalin? Më thoni, me ç’para, një çift i ri i porsamartuar do të paguajë principalin?”, tha Braçe. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, i kujtoi Kryeministrit Berisha se vendimi që mori për kompensimin e interesave, nuk është gjë tjetër vetëm zbatim në afat i ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” të vitit 2006. “Sali Berisha tha dje se këtyre familjeve ai do t’u paguajë interesat e kredive. Në fakt, këtë Sali Berisha e ka shkruar në ligjin ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronave’ të vitit 2006; Neni 9 i tij thotë: “Banesat pronë e subjekteve të shpronësuara, lirohen nga qiramarrësit brenda një afati 3-vjeçar”. Qiramarrësit vazhdojnë të paguajnë qira të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave deri në 2 vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Këshilli i Ministrave ngarkohet të sigurojë strehimin e qiramarrësve, që kanë statusin e të pastrehut, nëpërmjet banesave me qira të ulët, kredive me interes të ulët ose banesave me qira të kompensuar nga shteti”, tha Braçe. Sipas aktit të kaluar dy ditë më parë në Këshillin e Ministrave, tre mijë apartamente do të jenë për banorët që kanë zënë shtëpitë e ish-pronarëve dhe tre mijë të tjerë për të pastrehët. Kryeministri Berisha theksoi se me këtë vendim zgjidhet një prej problemeve të reformës së pronësisë.