E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipën si pasagjer, grabit makinën e imamit të Peshkopisë

 

PESHKOPI - Hipën si pasagjer, i grabit makinën imamit të xhamisë së Peshkopisë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën nacionale Peshkopi-Bulqizë, mbrëmjen e së mërkurës. Rreth orës 20:00, në sallën operative të Komisariatit të Dibrës ka kërkuar ndihmë nga Mois Kurtulla, pasi mjeti tip "Golf", me të cilin udhëtonte nga Peshkopia në drejtim të Bulqizës i është grabitur. Kurtulla është shprehur se një person fillimisht e ka kërcënuar dhe më pas i ka grabitur makinën që hoxha posedonte. "Jam në afërsi të fshatit Grevë. Një person që nuk e njoh më ka kërcënuar me armë dhe pastaj më ka vjedhur makinën. Ju lutem më ndihmoni", ka thënë imami. Kaq ka mjaftuar që Drejtori i Policisë së Qarkut, Ali Elezi, të urdhërojë efektivët e policisë së Peshkopisë të nisen me shpejtësi në drejtim të vendit të ngjarjes. Moti me borë e pengonte lëvizjen e shpejtë të policisë, por fillimisht grupi i gatshëm ka marrë kontakt me imamin e grabitur me dhunë. Autori është identifikuar 2 orë më vonë. Avdul Sula, në gjendje të dehur ishte rrëzuar bashkë me mjetin në një kanal. Ai kishte kërcënuar imamin se do ta vriste, duke i mbështetur nga pas koke një kaçavidë. Policia e ka arrestuar Sulën, ndërsa imami ka falënderuar forcat e saj për aksionin e shpejtë.                                    h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›