FSHF ndëshkon lojtarët, s'ka premio për Maltën
JETMIR HALILAJ
Për atë paraqitje të shëmtuar ndaj Maltës, lojtarët e Kombëtares shqiptare, jo vetëm që nuk mund të pretendojnë për shpërblim, por edhe ndonjë ndëshkim nuk do të ishte i pamerituar. Sigurisht, që i pari që duhej të sanksionohej, është trajneri Ari Han, që me lëvizjet dhe me strategjinë e tij (nëse përdori ndonjë të tillë), dështoi në ndeshjen më vendimtare. Megjithatë, Federata Shqiptare e Futbollit ka gjetur një mënyrë origjinale për të mos ua lënë mangët lojtarëve gafën që bënë në Maltë. Burime të sigurta për gazetën bënë të ditur se kuqezinjtë nuk do të marrin shpërblimin prej 1 mijë euro secili, të paracaktuar nga Federata, për çdo barazim që skuadra përfaqësuese do të merrte në transfertë.
Vendimi
Në shtator të vitit 2007 Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së vendosi shpërblime për kuqezinjtë për çdo rezultat pozitiv që do të merrnin. Kjo u bë për të motivuar sa më shumë futbollistët dhe për të pasur rezultate sa më të mira. Shpërblimet ishin përkatësisht: 3 mijë euro secili për çdo fitore të marrë në transfertë, 1 mijë euro për barazimet gjithashtu në transfertë dhe 2 mijë euro për fitoret në fushën e tyre. Jo gjithmonë kjo formulë ka dhënë efekte në nxitjen e lojtarëve për të dhënë maksimumin, por gjithsesi në disa raste ka qenë rezultateve.
Dështimi
Ndeshja kundër Maltës ishte më e rëndësishmja për Shqipërinë gjatë këtij edicioni. Vetë trajneri Ari Han e kishte cilësuar atë si takimin që do të përcaktonte të ardhmen e Shqipërisë në këto eliminatore. Në fakt, ai i pari dhe më pas lojtarët dështuan në këtë sfidë, duke rrezikuar të hedhin në erë të gjitha rezultatet e mira të marra në katër ndeshjet e mëparshme. Federata, pak kohë para se të luhej ndeshja vendosi që të motivonte lojtarët, duke vënë shpërblime prej pesë mijë eurosh për kokë në rast se ata do të fitonin ndaj Maltës. Padyshim që kundërshtari ishte modest dhe në pamje të parë kjo dukej e tepruar, por duke parë gjendjen jo të mirë të ekipit dhe rëndësinë e ndeshjes, drejtuesit vendosën të bënin një sakrificë financiare. Kjo rezultoi e padobishme, pasi skuadra nuk arriti të merrte tre pikët në Maltë, madje lojtarët tani nuk do të marrin as një mijë eurot që Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së u kishte paracaktuar para shumë kohësh.