E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, i dehuri terror në spital

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

I dehuri dhunon bluzat e bardha dhe pacientët në repartin e Urgjencës së Spitalit të Fierit. Incidenti ndodhi një ditë pasi stafi i mjekëve i drejtoi një peticion Drejtorisë së Spitalit ku evidentohej rreziku në krye të detyrës prej dhunës dhe përplasjeve me persona të dehur apo agresorë të tjerë. Ngjarja u shënua paraditen e djeshme, kur stafi i mjekëve u përball me agresionin e një 35-vjeçari nga Semani. Eltion Gjini kishte shkuar në gjendje të dehur në sallën e urgjencës dhe kërkonte të bënte një serum. Por ndërsa mjekët do t'i bënin serumin, gjithçka precipitoi në shkatërrimin total të një pjese të ambientit. Sipas mjekëve dhe klientëve dëshmitarë, i dehuri nisi të bërtiste dhe të shkatërronte gjithçka kishte përpara. Të rrezikuar nga dhuna e personit që i kishte humbur arsyetimi, mjekët u detyruan të japin alarmin në polici, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes. Por, bluzat e bardha u kërkuan thjesht të mbanin qetësinë dhe ata të vijonin t'i bënin serumin të dehurit. Kjo për shkak se gjendja e tij paraqitej mjaft e rëndë dhe se ai mund të kishte probleme edhe me zemrën për shkak të mbidozës së alkoolit. "Personi i dehur u fut në dhomën ku ndodhet e shtruar nëna ime. Filloi të shante e bërtiste me të madhe. U tremba, pasi nëna ime vuan nga zemra dhe mund të pësonte ndonjë gjë. Personin e shoqëruan deri te dera e repartit dy të tjerë. Por ai vijoi të shkatërronte krevatet e të përplaste në dysheme gjithçka kishte nëpër dhoma. Lajmëruam policinë". Kështu u shpreh Vladimir Bane nga fshati Zharrëz i Fierit, për ngjarjen e ndodhur dje paradite në ambientet ku ai kishte të shtruar nënën e sëmurë me zemër. Mjekët e Fierit ishin mjaft të irrituar nga kjo ngjarje, pasi tashmë dhuna dhe rreziku në ambientet e punës janë mjaft evidente dhe të përsëritura kohët e fundit. Ata kërkojnë të merren masa imediate, duke kërcënuar deri në bojkotimin e punës. "Nuk është hera e parë që të dehurit vijnë dhe shkatërrojnë gjithçka. I jemi drejtuar Drejtorisë së Spitalit për të marrë masa. Po ndërtohet një mjedis i veçantë për trajtimin e personave të dehur. Këtu kemi vetëm shtatë shtretër, ku trajtohen të sëmurët e të gjitha kategorive, mes tyre edhe të dehur. Në këto kushte është vërtetë keq, sidomos natën ku ne jemi në mëshirë të fatit", u shpreh mjeku Ndriçim Kallashi, i cili rrëfeu edhe ngjarjen. Mjekët kërkojnë vendosjen e një patrulle policie, pasi ata janë të rrezikuar dhe disa herë janë rrahur nga të dehurit. Të detyruar nga aktet e përsëritura të dhunës ndaj tyre, ata kanë firmosur një peticion ku bëjnë me dije rrezikun që u kanoset gjatë ushtrimit të detyrës si dhe marrjen e masave emergjente.

Drejtoria
Pas kaosit të krijuar në repartin e urgjencës në spitalin e Fierit, dje reagoi drejtoresha e këtij spitali. Najada Jahiqi u shpreh se i ka kërkuar ndihmë dhe bashkëpunim Komisariatit të Policisë Fier, në mënyrë që të shmangë përsëritjen e të tilla akteve të dhunshme. Ndërkohë që në zyrën e saj është edhe peticioni i bluzave të bardha, të cilët kërkojnë garantimin e sigurisë gjatë 24 orëve të punës. Dje pasdite situata ishte normalizuar, por mjekët pohuan se ndihen të frikësuar deri në marrjen e masave konkrete.

Paralajmërimi
Mjekët e shërbimit të urgjencës theksuan ndër të tjera se nëse nuk merren masa për gjendjen e krijuar në ambientet ku ata punojnë, atëherë do të jenë të detyruar të ndërpresin punën në shenjë proteste. Dje pas ngjarjes, policia u tregua e gatshme duke vendosur policë në ruajtje, ndërsa i dehuri vijonte të ishte rëndë në sallë dhe të merrte serum.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›