Shqipëria dorëzohet para Greqisë, mundet 3-0 në Maltë
Kuqezinjtë e sallës, për fatin e tyre të keq, i kanë nisur me humbje kualifikueset e Kampionatit Evropian "Hungari 2010". Keqardhja më e madhe është fakti se janë mundur nga Greqia, të cilën një vit më parë, po në Maltë, e kishin mundur 7-6. Por gjërat tashmë janë ndryshe, sepse grekët, përtej dëshirës së tanëve për të bërë më të mirën, jo vetëm që e kishin vlerësuar së tepërmi këtë ndeshje, por dhe kishin ardhur një ditë përpara kombëtares sonë në Maltë. Edhe pse është thënë që kjo ndeshje është çelësi i suksesit për t'u kualifikuar, për të rritur moralin e kuqezinjve, presidenti Ziaji, por dhe pjesa tjetër e stafit, ka ushqyer shpresën te futbollistët tanë se janë dhe dy ndeshje për t'u luajtur me Maltën sot dhe me Gjeorgjinë të dielën. Kuqezinjtë, përtej tre golave të pësuar për gabime të tyret, nuk është se kanë luajtur një ndeshje të keqe. Janë mbrojtur mirë pjesën e parë dhe deri në minutën e 10-të kanë ditur jo vetëm të mbajnë rezultatin 0-0, por dhe t'i marrin grekëve katër faulle. Në një moment që tanët ishin mirë, vjen një gjuajtje e Iliadis, i cili, me gjithë përpjekjet e portierit Psatha, e ka dërguar topin në rrjetë. Shqipëria i ka marrë Greqisë dhe faullin e pestë, por nuk tentohet të merret i gjashti, që do t'i jepte të drejtën e një penalltie, e cila mund të barazonte dhe rezultatin. Pak ngacmohet në sulm dhe pjesa e parë ka përfunduar 1-0 për Greqinë. Në pjesën e dytë, Dama e ka hedhur më përpara ekipin e tashmë janë grekët që kanë ndryshuar taktikë, duke qenë gjithnjë në pritjeve të sulmeve tona. Bllaca ka pasur rastin më ideal për të barazuar rezultatin, por më pas dhe Lumanaj, por pa rezultat. Ndërkohë, nga gabimet e lojtarëve tanë në mesin e fushës, vjen dhe goli i dytë i grekëve me Iliadis dhe më pas dhe i treti me Manos. Tentohet të luhet me pesë lojtarë, kur Samarxhiu luan dhe rolin e portierit, por është e vështirë të çahet në rrjetën e mbrojtjes greke. Ikin minutat, por tanët humbasin dhe raste të tjera, e përfundimi 3-0 për Greqinë. Tashmë pritet që kuqezinjtë të reflektojnë në ndeshjen e radhës, duke menduar për fitore në takimin e sotëm ndaj Maltës.