E Diel, 1 Nëntor 2026

Apartamentet për 48 familje të pastreha, peng i fushatës politike

17/12/2008  Bashkia e justifikon vonesën me vendosjen e kritereve të sakta dhe përfundimtare

DURRES - Bashkia e Durrësit dhe Komisioni i Strehimit kanë shtyrë në mënyrë të përsëritur vendimin për shpalljen e listës për familjet që përfitojnë apartamente me fonde nga Enti Kombëtar i Banesave dhe bashkia. 48 apartamente tashmë kanë përfunduar së ndërtuari që prej mesit të këtij viti, por bashkia nuk ka mundur të shpallë listën. Burime pranë bashkisë kanë thënë se shkak e shtyrjeve të njëpasnjëshme të shpalljes së listës ka qenë detyrimi i vendosjes së kritereve të sakta dhe përfundimtare. Por të këtij mendimi nuk kanë qenë një pjesë e specialistëve, pasi ata kanë deklaruar se bashkia ka përfunduar së paku katër muaj më parë sistemin e pikëzimit. Ata kanë shkuar edhe më tej duke pohuar se apartamentet janë peng i fushatës së pritshme elektorale. Bashkia e Durrësit përfshihet ndër bashkitë më problematike për sa i përket strehimit të familjeve që kanë statusin e të pastrehëve. Janë 6200 familje me status të tillë, por në bashki është thënë se kanë ofruar kërkesë për të përfituar apartament nga Enti Kombëtar i Banesave vetëm 250 familje. Ndërsa deklarimet tashmë janë bërë publike mësohet se kërkuesit janë shtuar dhe se numri i familjeve që shpresojnë të marrin banesë në një nga pallatet e përfunduara në Shkozet ka shkuar në 400. Bashkia duket se ka vendosur ta shtyjë ndarjen e apartamenteve duke e afruar këtë veprim me mbërritjen e zgjedhjeve parlamentare të qershorit për ta përdorur politikisht. Kjo mendohet që do t’i japë pikë stafit të bashkisë, e cila ka një kryebashkiak që i përket Partisë Socialiste. Sipas relacionit, familjet në fjalë duhet të plotësojnë pesë pika dhe ato janë: Vërtetim për të ardhurat (65 pikë), vërtetim që banon në shtëpi ish-pronarësh (15 pikë), vërtetim nëse ka status të pastrehë të zakonshëm (5 pikë), vërtetim që gëzon një nga statuset e parashikuara në nenin 5 të ligjit nr 9232 (10 pikë) dhe vërtetimin që është transferuar për arsye shtetërore (5 pikë). Në bazë të ligjit, 48 hyrjet e përfunduara në lagjen nr. 14 në Shkozet do të jepen për familjet që do të paguajnë një qira mujore prej 9600 lekësh, qira e cila do të vazhdojë të paguhet për 20 vite me radhë. Megjithatë, pritet që ky institucion t’u japë banesë atyre familjeve, të cilat kanë vite që presin të strehohen, ndërsa nuk janë të detyruar për të falënderuar njërën palë politike apo tjetrën, pasi gjithsecila prej tyre ka detyrimin të ndërmarrë të tilla nisma për të mos lënë në mes të katër rrugëve qindra e qindra nënshtetas shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›