Greqi, pesë vetë nën akuzë për arratisjen e Rizait
MASAT/ Avokati i rojeve të burgut akuzoi qeverinë se po kërkon "koka turku" për ngjarjen e ndodhur në burgun e Koridalosit
ATHINË - Katër roje burgu dhe një pilot janë nxjerrë para gjykatës në Athinë, ndërsa akuzohen për bashkëpunim në arratisjen nga burgu me helikopter të dy të dënuarve, të dielën. Shqiptari Alket Rizai, i dënuar për vrasje dhe Vasil Paleokosta, grabitës, u arratisën nga i njëjti burg duke përdorur të njëjtën mënyrë si 3 vjet më parë. Ata u arratisën nga burgu i Koridalosit, pasi një helikopter u ul mbi çati dhe iu hodhi një shkallë litari. Drejtori i burgut dhe inspektori i burgjeve u pushuan nga puna. Incidenti u cilësua si turpërues për qeverinë, e cila dështoi në rritjen e sigurisë në burgje pas arratisjes më të fundit. Një kërkim i gjerë ka nisur në të gjithë Greqinë për dy të arratisurit, megjithatë deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tyre.
Bashkëpunimi
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë vendosi pushimin nga puna të tetë rojeve të burgut, katër prej të cilëve u paraqitën në gjykatë të martën dhe u akuzuan si bashkëpunëtorë në arratisje. Ata do të përballen me deri katër vjet burg nëse deklarohen fajtorë. Avokati i rojeve, Dimitri Covola, i akuzoi autoritetet se po kërkojnë "koka turku" dhe kërcënoi se do ta padiste ministrin e Drejtësisë, Niko Dendian. Të hënën Dendia deklaroi se kishte urdhëruar një verifikim të llogarive bankare të të gjithë rojeve në sektorin ku mbaheshin Rizai dhe Paleokosta për të parë nëse ndonjëri prej tyre ishte paguar. "Qeveria beson se arratisja nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishte përkrahje, kështu që është vendosur të merren masa",- u shpreh Dendia pas mbledhjes së këshillit të ministrave. Gjithashtu, në mbledhjen e qeverisë u vendos që të nxirrej një ligj i cili detyronte çdo person që përdorte një numër celular me parapagesë, të identifikohej më parë. Vendimi për ligjin u mor pasi hetuesit mendojnë se të arratisurit mund të kenë përdorur komunikimin me celular për të koordinuar veprimet e tyre.
Vendqëndrimi
Helikopteri i përdorur për arratisjen u gjet në një rrugë kryesore në veri të Athinës. Piloti ishte lidhur këmbë e duar, si dhe në gojë, si dhe i ishte vënë një kapuç në kokë. Ai u tha policëve se helikopteri ishte marrë me qira nga një çift, i cili më pas e kishte kërcënuar që të fluturonte mbi burg. Megjithatë, më pas ndaj pilotit u ngrit akuzë. Rruga në të cilën u gjet helikopteri çon për në një zonë shumë mirë të njohur nga Paleokosta. Në qershor të 2006-s të dy burrat u arratisën me një helikopter të marrë peng, ndërsa mjeti fluturues u ul në oborrin e burgut në kohën e pushimit. Projektuesi i saj ishte vëllai i Vasilit, Niko, i cili tashmë ndodhet në burg.
Përgatiti: