Apel; I dënuar për vrasje, Kuqo i Beratit kërkon lirim të menjëhershëm
I arrestuar tre vjet më parë në Berat, ndërkohë që për të ekzistonte një urdhër për shtrim të detyrueshëm në spitalin psikiatrik të Vlorës për mjekim të detyruar, Aleksandër Kuqo i drejtohet Gjykatës së Apelit Tiranë me një kërkesë për lirim të menjëhershëm. Seanca e djeshme është shtyrë, ndërkohë që relatori i çështjes është gjyqtari Rrahman Qinami. Shtetasi Aleksandër Kuqo, me vendimin nr 297, datë 09.12.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier është dënuar me 21 vjet burgim, në njohje të vendimit të gjykatës Penale Milano Itali, nr 26/99, datë 25.10.1999, që e ka dënuar me “burgim të përjetshëm”, për veprat penale të “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “trafikimit të femrave për prostitucion” të kryer në bashkëpunim. Me vendimin nr. 13, datë 22.01.2003, të Gjykatës së Fierit, në zbatim të nenit 46/2 të Kodit të Procedurës Penale, është vendosur caktimi i masës mjekësore dhe vendosja e tij në spitalin psikiatrik rajonal Vlorë, për mjekim të detyruar. Gjatë kësaj kohe, shtetasi Aleksandër Kuqo, ka qëndruar i lirë në rrethet Berat dhe Fier, si dhe është marrë me biznes privat. Policisë i ka rezultuar se në lagjen Uznovë të qytetit të Beratit ka në bashkëpronësi një fabrikë vere, si dhe disa dyqane e objekte të tjera në qytetin e Beratit. Sipas policisë që kreu arrestimin dy vjet më parë, veprimet e kryera nga Kuqo i Beratit gjatë kësaj kohe, nuk të lënë të kuptosh se ai vuan nga ndonjë sëmundje psikike.