E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet në Rinas, bankieri italian me 25 mijë euro

Drejtori italian i një institucioni financiar në Shqipëri, është ndaluar në Rinas për mos deklarim të vlerave monetare


Policia ka sekuestruar paratë për të zbuluar origjinën e tyre ndërsa procedoi penalisht në liri Françesko Marianon, 33 vjeç


TIRANE- Kapet në Rinas me 25 mijë euro të padeklaruara drejtori italian i një agjencie bankare në Shqipëri. Policia dhe prokuroria nisin hetimin ndaj tij me akuzën e mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi.

Ndërkaq ai është lënë i lirë nga autoritetet policore pasi ka paguar një gjobë të majme, ndërsa veprimet hetimore në ngarkim të tij i kanë kaluar për hetim organit të akuzës në kryeqytet. Françeko Mariano, 33 vjeç, me profesion ekonomist bankier, me shtetësi dhe kombësi italiane është ndaluar nga kontrollorët e pikës së kalimit kufitar në aeroportin e Rinasit dy net më parë.

Italiani me funksion drejtor i një institucioni financiar në vendin tona, gjatë kontrollit të kryer në pikën e kalimit kufitar, ka pasur me vete në çantë një sasi prej rreth 25 mijë eurosh.

Këtë sasi parash, sipas burimeve të policisë, italiani është munduar ta kalojë pa e deklaruar përpara autoriteteve, për arsye që ende nuk dihen. Bankieri nga vendi fqinj, mësohet se i kishte futur paratë në një çantë e cila është zbuluar gjatë kontrollit të tij. Oficerët e pikës së kalimit kufitar kanë dyshuar ndaj tij që nga momenti kur ai po iu përgjigjej atyre në sportelin dalës të aeroportit të Rinasit.

Pas dyshimeve të autoriteteve, policia ka vendosur të kryejë një kontroll të imtësishëm në bagazhet dhe sendet personale të drejtorit italian të një institucioni financiar në vendin tonë. Kontrollorëve dhe oficerëve të Policisë Kufitare të komisariatit të aeroportit "Nënë Tereza", nuk iu është dashur shumë kohë që të zbulojnë "thesarin" që mbartte me vete bankieri italian.

Menjëherë pas gjetjes së shumës së konsiderueshme të parave, policia të nisë procedimin penal në ngarkim të italianit e madje duke i pohuar atij se tashmë ishte nën hetim. Ende nuk dihet se çfarë ka deklaruar italiani, gjatë pyetjes së tij nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Rinasit, ndërsa mësohet se ai është munduar "t'ia hedhë lumit", duke mbajtur qëndrim mohues mbi origjinën e parave.

Burime të policisë thanë se dyshimet e tyre ishin se Mariano, mund të ketë pasur shumën e mësipërme të parave si pjesë të kursimeve të tij të fituara nga paga e funksionit që ai mbante këtu.

Gjithsesi burimet e policisë janë treguar dyshues mbi këtë fakt pasi, ende nuk dihet se cili ishte shkaku që Mariano nuk ka deklaruar vlerën e majme monetare që po transportonte në drejtim të Italisë, si dhe shkakun përse këto para nuk kanë kaluar nëpërmjet sistemit bankar nga Shqipëria në drejtim të vendit fqinj.

Ndërkaq policia ka përpiluar procedimin penal dhe më pas e ka nisur atë në drejtim të organit të akuzës në kryeqytet, e cila më pas duhet të delegojë edhe veprimet që duhet të kryhen nga hetuesit.

Ndërkaq, policia ka sekuestruar sasinë e parave në cilësinë e provës, ndërsa ndaj Marianos, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë me akuzën e mosdeklarimit të vlerave monetare në pikat e kalimit kufitar.

Vlera maksimale që lejohet të kalohet në kufirin shqiptar sipas legjislacionit, kap shifrën e 10 milionë lekëve të vjetra, ose kundërvlerës së saj në një monedhë të huaj.


25 mijë euro të padeklaruara transportonte italiani Françesko Mariano, nga Shqipëria në Itali në momentin kur atij i është bllokuar sasia e mësipërme e parave.


10 milionë lekë të vjetra, është vlera maksimale e mundshme që mund të kalojë një person pa e deklaruar shumën e mësipërme të parave në pikat e ndryshme të kalimit kufitar

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›