E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, goglat përcaktojnë Kolegjin Penal



Hidhet shorti për dosjen “Gërdeci”, goglat përcaktojnë pesë gjyqtarët që formojnë Kolegjin Penal që do të gjykojë tragjedinë ku humbën jetën 26 persona. Do të jenë katër gjyqtare femra dhe një mashkull trupa gjyqësore që do të gjykojë dosjen “Gërdeci”. Në short, i cili u hodh paraditen e djeshme, u përfshinë gjyqtarë penalistë e civilistë, ndërkohë që u përjashtuan gjyqtarët që kanë shqyrtuar masat e sigurisë apo kërkesat e bëra nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me zgjatjen e afateve hetimore apo dhe gjyqtari Dvorani që ka një prej viktimave vëlla. Pesë gjyqtarët e përzgjedhur nga goglat, sipas procedurave të përcaktuara, janë Majlinda Andrea, e cila do të jetë edhe relatore e çështjes, Evelina Qirjako, e njohur si ish-avokate e familjes së ish-kryeministrit Fatos Nano, Evgjeni Sinoimeri, Irma Bala dhe Besnik Imeraj, këta dy të fundit pjesë e Kolegjit Penal që gjykon ministrin e Jashtëm Lulzim Basha. Dosja me 89 fashikuj dhe rreth 28 mijë faqe ka 29 të pandehur, nga të cilët katër janë në burg, ndërsa pjesa tjetër janë hetuar dhe do gjykohen në gjendje të lirë. Pas hedhjes së shortit, në ditët në vazhdim pritet të përcaktohet dita kur do fillojë seanca e parë, e cila mendohet pas dy javësh.

Depozitimi

Një javë më parë, prokurorët dhe hetuesit dorëzuan dosjen “Gërdeci” në Gjykatën e Lartë. Bëhet fjalë për 89 fashikuj hetimorë me rreth 28 mijë faqe, brenda të cilave janë kërkesa për gjykim, provat e grumbulluara në këtë një vit proces hetimor, si dhe deklarimet e të pandehurve dhe dëshmitarëve të kësaj tragjedie të rëndë, e cila mori 28 jetë njerëzish, ndërkohë që 300 persona u plagosën. Brenda fashikujve hetimorë gjenden të gjitha dëshmitë e dhëna nga punëtorët e fabrikës së demontimit në Gërdec, familjarëve të viktimave dhe ekspertiza të bëra në vendin e ngjarjes. Ndër provat që gjenden në dosje janë edhe dokumente dhe prova të rëndësishme në letra, të cilat janë sekuestruar në Ministrinë e Mbrojtjes apo në ndërmarrjen shtetërore MEICO, si dhe dokumente që u gjetën në kasafortën e fabrikës së Gërdecit. Dosja u dorëzua dy ditë para 1-vjetorit të kësaj tragjedie, konkretisht më 13 mars, ndërkohë që zyra e Protokollit u ktheu disa prova hetuesve për t’i saktësuar dhe protokolluar më mirë në organin qendror të akuzës. Tashmë dosja është e plotë dhe i është dorëzuar relatores së çështjes Majlinda Andrea, e cila do përcaktojë edhe ditën kur do startojë ky gjyq.

Akuzat dhe të pandehurit

“Shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “vrasje masive” janë disa nga akuzat për 28 të pandehurit e dosjes “Gërdeci”. Dosja do të gjykohet nga një Kolegj Penal në Gjykatën e Lartë, për shkak të faktit se në këtë grup të pandehurish është edhe një deputet, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Gjithashtu, të pandehur janë edhe ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe ushtarakë të lartë, si shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, zv.shefi i Shtabit, Zija Jahja dhe komandanti i Komandës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu. Për këtë ngjarje janë marrë në total 28 persona të pandehur, nga të cilët 4 janë në qelitë e paraburgimit dhe të tjerët në gjendje të lirë. Aktualisht në qeli ndodhen Delijorgji, Pinari dhe Minxholli, për akuzën e “vrasjes masive në bashkëpunim”, si dhe Sokol Ngjeçi, se ka lejuar shkarkimin e një sasie tej rregullave dhe normave të lejuara në punishte dhe nuk ka marrë masat e duhura për shmangien e grumbullimit të sasive të konsiderueshme të municioneve në Gërdec. Ndërsa janë marrë të pandehur në muajin shkurt ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullai, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Të pandehurit akuzohen si shkaktarë të tragjedisë së 15 marsit të vitit të kaluar, direkt apo indirekt, me veprime apo mosveprime, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën 26 persona, si dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.

Gjyqtarët e përzgjedhur

Majlinda Andrea, relatore e çështjes

Evelina Qirjako

Evgjeni Sinoimeri

Irma Bala

Besnik Imeraj

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›