Maskat grabisin dy të moshuar
GJIROKASTËR- Pas shumë vitesh fenomeni i grabitjes nga persona të maskuar është rikthyer në rrethin e Gjirokastrës.
Një çift të moshuarish në fshatin Sofratikë të komunës së Dropullit të Sipërm kanë rënë pre e dy grabitësve, të cilët i kanë mbajtur nën kërcënimin e një thike, për t'u treguar vendin ku mbanin paratë.
Ngjarja e rëndë që ka tronditur gjithë opinionin e zonës ndodhi në banesën e shtetasit Spiro Nasto.
Dy grabitësit kanë mundur të hyjnë në shtëpi nëpërmjet derës, e cila ishte e hapur dhe prej andej janë ngjitur në katin e dytë. Gjatë "kontrollit" të bërë nëpër banesë për të holla grabitësit janë konstatuar nga të zotët e shtëpisë, 70-vjeçari Spiro Nasto dhe bashkëshortja e tij.
Por, ky fakt nuk i ka stepur personat e maskuar, të cilët janë përleshur me dy të moshuarit dhe për rreth 30 minuta i kanë kërcënuar me anë të një thike për t'u dhënë paratë.
Të ndodhur në këto kushte, bashkëshortët Nasto u kanë treguar vendin ku mbanin lekët , ku kishin vetëm 3000 lekë të reja dhe 50 Euro. Ka mjaftuar kjo shumë e vogël të hollash që grabitësit të largoheshin. Pas kësaj, të moshuarit kanë lajmëruar efektivat blu, të cilët kanë përdorur qenin e gjurmës për të bërë të mundur përcaktimin e drejtimit të lëvizjes me qëllim ndjekjen dhe kapjen e autorëve.
Ndërkaq, policia deklaron se ka arritur t'i identifikojë dy grabitësit, të cilët janë shpallur në kërkim për veprën penale të "vjedhjes me dhunë", por pa bërë publike më shumë të dhëna.