E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Ambasada Amerikane në Tiranë, e paimplikuar në skandalin e municioneve



Ambasada e SHBA-së në Shqipëri dhe titullari i saj, Xhon Uidhers, nuk janë të implikuar në aferat e dyshuara të trafikut të municioneve dhe nuk ka asnjë hetim lidhur me ta. Ky është vendimi që ka shpallur Departamenti i Drejtësisë, i cili u komunikua për median nga burime zyrtare të Ambasadës Amerikane në vendin tonë. Përmes Robert Ud, zëdhënës në detyrë i ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në qershor të vitit 2008, në media u shfaqën pretendime se ambasadori i SHBA-së, Xhon Uidhers dhe pesë anëtarë të tjerë të ekipit të ambasadës së SHBA në Tiranë, Shqipëri, në njëfarë mënyre ishin të përfshirë në përpjekjet për të fshehur fakte lidhur me shitjen e municioneve me origjinë kineze për Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së, në shkelje të ligjeve të SHBA. Sipas burimeve zyrtare, në atë kohë çështja iu paraqit inspektorit të Përgjithshëm për shqyrtim. Inspektori i Përgjithshëm ka shqyrtuar të gjitha faktet e vëna në dispozicion dhe nuk gjeti asgjë që mund të konfirmonte ndonjë pretendim penal apo lloji tjetër në lidhje me punonjësit e Departamentit të Shtetit. “Departamenti i Drejtësisë ka informuar Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm që këta gjashtë punonjës të Departamentit të Shtetit në Ambasadën në Tiranë nuk janë shënjestra apo subjekte hetimi. Departamenti mirëpret deklaratat e bëra nga Departamenti i Drejtësisë dhe Inspektori i Përgjithshëm dhe e konsideron këtë çështje të mbyllur”, - vijon komunikata zyrtare e shpërndarë nga Ambasada Amerikane, duke shtuar se “ambasadori Uidhers dhe ekipi i tij punuan saktësisht në atë mënyrë siç do të prisnim të punonin. Jemi krenarë dhe mirënjohës për shërbimin e tyre”. Lidhur me deklaratën e Departamentit të Drejtësisë ka pasur një koment edhe nga ambasadori amerikan, Uidhers. Diplomati amerikan është shprehur se “jam mirënjohës që Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Mbrojtjes tani i konsiderojnë pretendimet kundër meje dhe zyrtarëve të tjerë në Ambasadën në Tiranë të mbyllura. Këta zyrtarë – Stiven Kristina, Patrik Leonard, Paula Thide, Viktor Majev dhe Robert Njusëm – janë ndër diplomatët më të shkëlqyer që kam njohur. Siç thashë vitin e kaluar, “një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë, në fund, tek e vërteta”. Jam i kënaqur që e vërteta tani është e qartë dhe që këtyre zyrtarëve të shkëlqyer u janë njohur kontributet ndaj shërbimit të vendit tonë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›