Apel qeverisë, Fullani: “Kujdes me borxhin publik”
Autori i Lajmit: Redaksia
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani i kërkon qeverisë uljen e borxhit publik me qëllim ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Të ardhurat në rënie si dhe shpenzimet e larta buxhetore kanë thelluar deficitin , të cilin qeveria është detyruar ta financojë nëpërmjet kredive. Kjo ka rritur borxhin publik të vendit deri në nivelin e 58% të produktit të përgjithshëm kombëtar. “Rritja e shpejtë e shpenzimeve dhe deficiti buxhetor gjatë vitit 2009 ka rritur më tej nivelin e borxhit publik, i cili vlerësohet rreth 58% të PBB në fund të muajit nëntor. Banka e Shqipërisë gjykon se orientimi i politikave të ardhshme buxhetore drejt konsolidimit fiskal me qëllim reduktimin e borxhit përbën tashmë një parakusht për stabilitetin makroekonomik të vendit. Siç e kemi theksuar dhe më parë, reduktimi i borxhit publik do të ulë presionin e sektorit publik mbi tregjet financiare duke krijuar më shumë hapësirë në sektorin privat” theksoi Fullani. Në këto kushte Banka e Shqipërisë ka mirëpritur nismën e Ministrisë së Financave për të rishikuar buxhetin e këtij vitit, projekt që është dërguar për miratim në qeveri. “Banka e Shqipërisë mirëpret lëvizjet e fundit për sa i përket korrektimit të buxhetit. Është në linjë të plotë me sugjerimet tona, është në linjë të plotë me zhvillimet ndërkombëtare” u shpreh Fullani.
Ky lajm është publikuar: 28/01/2010