Letra e Topallit Përbërja e delegacionit, nuk u konsultova me PS
Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka sqaruar Këshillin e Evropës lidhur me përfaqësimin e Shqipërisë në këtë strukturë ndërkombëtare. Në një letër drejtuar KE-së ajo sqaron se përbërja e delegacionit është e balancuar aq sa është e mundur ndërsa shton se këtë vendim e ka marrë pas konsultimit me grupet parlamentare dhe në përputhje të plotë me rregulloren. Kryeparlamentaja sqaron se delegacioni ka në përbërje të saj përfaqësues nga Partia Demokratike partia e çamëve, PDU por dhe nga Partia Socialiste. Lidhur me PS-së kryetarja e Kuvendit sqaron se është përfshirë emri i Islamit i cili ka qenë dhe më parë pjesë e delegacionit në mungesë të propozimeve të reja të PS-së e cila nuk është prezente në Kuvend. Më tej ajo thekson ftesën drejtuar PS-së për të thyer bojkotin si dhe qëndrimet e përfaqësuesve socialistë duke i faktuar këto me titujt e gazetave.
Letra e plotë
Më datën 28 qershor 2009, u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Parlamenti u konstitua në 7 shtator 2009. Në fillim të sesionit të ri, bazuar në nenin 7, pika 3 të rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit, në konsultim me Kryetarët të grupeve, përcakton listën e anëtarëve të delegacioneve të përhershme të Kuvendit dhe Kryesinë e tyre pranë organizatave ndërkombëtare. Përbërja e tyre duhet të përfaqësoj për aq sa është e mundur përbërjen politike të Kuvendit dhe gjithashtu në përputhje me rregulloren, unë, u konsultova me Kryetarët e Grupeve Parlamentare dhe kam respektuar gjithnjë rregulloren dhe përbërja e delegacioneve u bë e ditur në seancë parlamentare. Në listën e dërguar Asamblesë, dy vende i takojnë anëtarëve të PD (mazhorancës), 1 vend anëtarit të PDU (Partia për Drejtësi dhe Unitet, që mbron të drejtat e çamëve) dhe 1 vend për anëtarin e PS-së. Siç ishte edhe në legjislaturën e kaluar dhe dy vende si zëvendësues që i takojnë PS, dmth një zëvendësues më shumë se në legjislaturën e kaluar. Në cilësinë e Kryetarit të Parlamentit, jam shumë e vendosur që të respektoj rregullat dhe proporcionalitetin sa më shumë që të jetë e mundur, por më lejoni tju informoj që deputetët socialist kanë bojkotuar Parlamentin, që në ditët e para të tij, si rrjedhojë nuk kanë bërë betimin dhe nuk kanë një Kryetar Grupi të zgjedhur. Në mungesë të Kryetarit të Grupit Socialist, nuk kisha me këtë të diskutoja për emrat e përfaqësuesve të PS, (siç kërkohet nga rregullorja), por i lash vendet e tyre të zbrazura, deri kur ti japin fund bojkotit të tyre. Zoti Kastriot Islami (ka qenë anëtarët i delegacionit dhe reporter për Gjeorgjinë.) Emri i tij u la aty si zëvendësues, derisa PS të vendosë vetë për emrat. I kam kërkuar atyre në mënyrë të vazhdueshme që ti japin fund bojkotit dhe të vijnë në Parlament për të zënë vendet bosh dhe për të përcaktuar emrat e Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në 21 janar 2010, Kryetari i PS, në një program televiziv, duke ju përgjigjur pyetjes, se a do të kërkoj PS deputetë në Këshillin e Evropës, deklaroi: “Deputetët nuk do të shkojnë në Strasburg, por AP e KE-së , do të vijë këtu!” Në të njëjtin program, lideri socialist ka deklaruar se: “Ne do të rrëzojmë me forcë qeverinë.”
Më poshtë, po ju përmend disa nga titujt e gazetave të përditshme, që i referohen deklaratave të liderit socialist, Edi Rama:
Rama: Hap kutitë, ose do të rrëzojmë juve me forcën e protestave popullore. (Zëri i Popullit, organi zyrtar i PS).
Edi Rama: Do ta rrëzoj Berishën bashkë me kutitë e votimit (Metropol, gazetë e pavarur e përditshme).
Rama: Do ta rrëzoj Berishën bashkë me kutitë e votimit. (Sot, gazetë e përditshme e pavarur).
Edvini çmendet: Ne do ta rrëzojmë pushtetin duke përdorur forcën, por asnjë ndërkombëtar nuk e pret më atë. (55, gazetë e përditshme e pavarur).
Lideri i PS ngre zërin, Rama: Ne do të heqim Berishën nga rruga. (Panorama, gazetë e përditshme e pavarur.)
Rama: Nëse nuk do të hapen kutitë e votimit, ne do ta heqim Berishën nëpërmjet protestave. (Tema, gazetë e përditshme e pavarur).
Në moment që Grupi Socialist do të hyj në Kuvend, dhe të zgjedhë Kryetarin e Grupit, unë do të konsultohem me të, siç kërkohet edhe nga rregullorja dhe do tju dërgoj juve emrat që ata vetë do të vendosin si anëtarë socialist dhe zëvendësues në Asamble.
I nderuar zoti President siç e shikoni, vendet e anëtarëve të PS, në AP e KE-ës, janë të njëjtët me ata që kanë qenë edhe në Asamblenë e mëparshme, ndërsa zëvendësuesit janë më shumë se në legjislaturën e mëparshme.
Ky lajm është publikuar: 28/01/2010