E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse shkoi Hysni Kapo në Kinë

Autori i Lajmit: Androkli DraloTiranë, 10 shkurt 1967 - Tani që delegacioni partiak i përbërë nga Sekretari i Komitetit Qendror, Hysni Kapo, dhe anëtari i këtij komiteti, Behar Shtylla, janë rikthyer në shtëpi pas udhëtimit të tyre surprizë në Kinën Komuniste, mund të ngrihen pikëpyetje për qëllimin e vërtetë të këtij udhëtimi. Për shkak të kushteve jo normale me Kinën e sotme dhe shqetësimit që Pekini mund të shkaktojë në udhëheqjen shqiptare, do të ishte logjike të arrije në përfundimin se udhëtimi kishte objektiv zbulimin e së vërtetës. Por ende, kjo do të dukej e panevojshme, duke qenë se shqiptarët e kishin dërguar më parë një delegacion të kryesuar nga anëtari i Byrosë Politike, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Beqir Balluku, i cili kishte vizituar të gjithë Kinën, duke vëzhguar me kujdes në radhë të parë drejtimin e Revolucionit Kulturor. Megjithatë, ka shumë arsye për të spekuluar se udhëtimi i befasishëm i Kapos dhe Shtyllës në Pekin mund të ketë pasur lidhje me përpjekjet aktuale nga ana e udhëheqësve kinezë për të ngritur një lëvizje ndërkombëtare komuniste e përbërë nga parti dhe grupe prokineze. Lëvizjet kineze për të krijuar një organizatë të tillë, në rast se hapa të tillË janë me të vërtetë progres, ka shumë gjasa që të vijnë si një kundërshtim ndaj takimit ndërkombëtar të partive prosovjetike komuniste, një mbledhje të cilën Moska e ka kërkuar me shumë ngulm. Nga ana e tyre, shqiptarët janë shumë të shqetësuar për ti dhënë dritën jeshile një hapi të tillë. Gjatë Kongresit të fundit të Partisë (V), Enver Hoxha, në raportin ku flitej më luftën kundër revizionizmit hrushovian tha: “Sigurisht që gjërat kanë ndryshuar dhe ne nuk mund të flasim për pranimin apo kopjimin e formave dhe metodave të punës së organizimit dhe drejtimit të Kominternit, të cilat ishin të zbatueshme në të shkuarën me pikat pozitive dhe negative të tij. Por krijimi i marrëdhënieve për bashkëpunim dhe unitet veprimi në kushtet e tanishme është në gjykimin e partisë sonë, një çështje e domosdoshme dhe urgjente. Edhe pse Hoxha e la të nënkuptuar se çdo të thoshte saktësisht “krijimi i marrëdhënieve për bashkëpunim dhe unitet veprimi”, urgjenca e kërkesës së tij për krijimin e një lloji të tillë organizate të veçantë ndërkombëtare komuniste, ishte më se e qartë. Një informacion i pakonfirmuar se udhëheqësit kinezë janë momentalisht në procesin e krijimit të një organizate të tillë ndërkombëtare, u bë e ditur në numrin 8 shkurtit të “The Christian Science Monitor”. Gazetari Pol Uoll, tha si më poshtë për Kan Shenin, të cilin ai e renditi si numrin 3 në hierarkinë e Kinës pas Maos dhe Lin Biaos: “Kan Sheni është arsimuar në shkollën e Kominternit në Moskë në vitin 1930. Eksperienca e tij në Moskë e përgatiti atë për ti dhënë pozicionin që mban aktualisht si kreu i zbulimit të partisë dhe ndërlidhësi me partitë e jashtme, një post në të cilin ai aktualisht është duke hedhur themelet për krijimin e internacionales pro komunizmit kinez. Kontaktet e shpeshta të Kan Shenit me zyrtarë të lartë komunistë shqiptarë të japin përshtypjen se përgatitjet për krijimin e një internacionaleje komuniste prokineze mund të jenë gjithashtu dhe objektivi i tij i tanishëm. Shembulli më i fundit i negocimeve me shqiptarët është vizita e fundit e Kapos në Kinën Komuniste. Kapo, i cili edhe ai është numri 3 në hierarkinë e udhëheqjes shqiptare, një anëtar i Byrosë Politike, për më tepër është edhe anëtar i Sekretariatit të Komitetit Qendror Shqiptar, mban dhe vendin e shefit të ekspertëve të Partisë së Punës në marrëdhëniet me partitë e huaja komuniste. Hysni Kapo është i mirënjohur për rolin që luajti gjatë Konferencës së Partive Komuniste në Bukuresht (qershor 1960) si kreu i delegacionit partiak shqiptar. Ajo konferencë do të kujtohet si takimi, në të cilin u shpalosën hapur për herë të parë publikisht mosmarrëveshjet e lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Kan Shen, i cili ishte vazhdimisht në krah të Kapos gjatë vizitës së tij të fundit në Kinë, gjeti një moment për të vlerësuar homologun e tij shqiptar për qëndrimin e tij të Bukureshtit. Sipas agjencisë “Hsinhua” të 25 janarit, e cila transmetoi lajmin e vizitës së Kapos në universitetin Tsinghua, Kan Shen e prezantoi të ftuarin e tij me këto fjalë: “Shoku Hysni Kapo është shoku ynë në luftën kundër revizionizmit hrushovian. Partitë kineze dhe shqiptare ishin të vetmet parti, të cilat i shfaqën luftë të hapur revizionizmit hrushovian në Konferencën e Bukureshtit. Ne ishim në minorancë në atë kohë dhe revizionistët përbënin shumicën. Tani partitë dhe organizatat marksiste-leniniste janë përhapur shumë larg në më shumë se 50 shtete dhe rajone. Kan Shen duket se kërkon të lërë të kuptohet se tani partitë dhe grupet prokineze janë në një pozicion për të krijuar një “shumicë” dhe se ka ardhur koha që të bëhet diçka konkrete për organizimin e një grupi të tillë në lëvizjen ndërkombëtare komuniste. Prandaj, duhet kujtuar se mundësia e një prej qëllimeve të vizitës së fundit të Kapos në Kinë ishte konsultimi me homologët e tij kinezë për krijimin e një internacionaleje komuniste me partitë pro politikës kineze. Kongresi i fundit (V) i PPSH-së ishte një rast, i cili shfaqi i botës për herë të parë “unitetin” e elementëve prokinezë duke sjellë së bashku “26 parti dhe grupe marksist-leniniste”. Në mënyrë shumë domethënëse, ishte Kan Shen, i cili kryesoi delegacionin e Partisë Kineze në Kongresin e PPSH-së, për të pasur mundësinë në të njëjtën kohë që të mblidhte dhe informacion shumë të vlefshëm nga përfaqësuesit e partive dhe grupeve prokineze të mbledhura atje në interes të krijimit të internacionales komuniste prokineze. Lajmi i Uollit se kinezët i ishin futur punës për krijimin e internacionales komuniste me partitë marksiste-leniniste, bëhet akoma më i besueshëm nga vizita e papritur dhe misterioze e Kapos në Pekin dhe rolit gjithnjë e më të madh të Kan Shenit në kontaktet me shqiptarët, veçanërisht ato që kanë lidhje me lëvizjen ndërkombëtare komuniste.

Ky lajm është publikuar: 28/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›