“Rravgime” novela e humbur e Gjeçovit
Autori i Lajmit: Redaksia
Është një nga veprimtarët më të shquar të lëvizjes atdhetare, etnograf, arkeolog dhe shkrimtar, Shtefjen Gjeçovi është një nga figurat më të shquar të kombit shqiptar. Vetëm pak ditë më parë në Tiranë është zbuluar një nga kryeveprat e tij, një nga novelat e tij të humbur. I ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, ky fragment i novelës “Rrafgime” i përket një prej dy novelave të Gjeçovit. Njëra prej tyre, “Mnera e Prezës”, e gjetur dhe botuar para disa vitesh nga studiuesi Jaho Brahaj, dhe kjo novelë e nxjerrë nga Arkivi i Shtetit. Megjithëse nga kjo novelë ruhet vetëm fragmenti i fillimit, për studiuesit ka vlera për njohjen e krijimtarisë letrare të Gjeçovit. Mendimi i redaktorit është se që faqet e humbura të kësaj novele mund të jenë shkëputur më 1945 në Arkivin Françeskan në Shkodër. Ky arkiv pësoi disa kontrolle e rikontrolle dhe fondi arkivor i Shtjefën Gjeçovit, u seleksionua dhe u mbajt herë në tavanin e Kuvendit Françeskan, herë në rafte në pështjellimin e atyre viteve. Sipas françeskanit të madh Zef Pllumi, arkivi i Gjeçovit është seleksionuar për tju ruajtur censurës e kontrolleve të Sigurimit të Shtetit. Në këtë përfundim dalim edhe po të shtjellojmë të gjithë letrat, korrespodencën e Shtjefën Gjeçovit. Në korrespodencë mungojnë letrat që Gjeçovi u dërgon Faik Konicës, Ahmet Zogut, Naim Frashërit, Lef Nosit etj. Këto figura, për të cilat kemi të dhëna të sakta që nga materiali arkivor i Gjeçovit. Ky i fundit kishte korrespodencë të shumtë me këto personalitete që ishin të anatemuar. Këto letra janë seleksionuar e veçuar dhe sot nuk i njohim. Në këto seleksionime e lëvizje herë pas here të arkivit françeskan, ku ishte dhe arkivi i Gjeçovit mund të kenë humbur edhe materiale të tjera, ndër to ndoshta dhe pjesë të novelës në fjalë. Në AQSH gjenden disa dosje të fondit të françeskanëve me titull “Materiale të ndryshme”, ku shpresohet se ndoshta diçka nga kjo novelë mund të ketë ngelur aty, pasi para dy vjetësh është gjetur faqja e fundit e ditarit të Gjeçovit e vitit 1924, e cila ishte pa klasifikimin e zakonshëm arkivor. Faqja e fundit thotë: U nisa për në Shën Gjon Vladimir. Fleta e fundit ishte shkëputur dhe u gjet në këto materiale të ndryshme dhe tani botohet për herë të parë. Faqja e shkëputur ka edhe të dhëna me shumë interes, ku përshkruhet se me rastin e dasmës së tij, Skënderbeu i ka bërë dhurata këtij manastiri.
Ky lajm është publikuar: 28/01/2010