E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buna e lundrueshme, Shkodra me by-pass

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Donatorët e huaj do të financojnë 180 projekte për zonat e përmbytura, kryesisht zonën e Nënshkodrës dhe Lezhës.
Në projekte përfshihet edhe lumi Buna, që parashikohet të bëhet e lundrueshme dhe Shkodra do të ketë edhe një by-pass të madh. Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile zhvilloi një takim me partnerët kryesorë të komunitetit të donatorëve, ku u diskutua mbi nevojat dhe mundësitë e financimit për përballimin e situatës së emergjencës civile, që u shkaktua nga përmbytjet natyrore në qarqet Shkodër dhe Lezhë.
Ministria e Brendshme
Sipas Ministrisë së Brendshme, synimi i takimit, përveç paraqitjes së nevojave në plan afatshkurtër ishte edhe parapërgatitja e një konference të zgjeruar donatorësh, e cila do të marrë në shqyrtim financime të mundshme jo vetëm për projektet e vogla lokale për ndërtime argjinaturash, rehabilitim të sistemeve të ujësjellës kanalizimeve apo të shërbimeve të ndryshme publike vendore, por edhe projekte të rëndësishme për vepra të mëdha publike, siç është drenimi i lumit të Bunës për ta bërë të lundrueshëm dhe ndërtimi i një by-pass të madh që do të shërbejë si për mbrojtjen e Shkodrës nga liqeni ashtu edhe si infrastrukturë rrugore moderne lidhëse mes akseve rrugore Shkodër-Hani i Hotit dhe Shkodër-Tiranë. “Është e rëndësishme që në hapin e parë të kryejmë rehabilitimin e dëmeve dhe riaftësimin e zonës së prekur nga përmbytja. Por ndërkohë në plan afatmesëm dhe afatgjatë qeveria Berisha synon kryerjen e veprave të mëdha infrastrukturore publike, që jo vetëm do të mbrojnë Shkodrën nga përmbytje si këto që ndodhën, por do të nxisin një zhvillim të qëndrueshëm dhe të shpejtë ekonomik të të gjithë Qarkut të Shkodrës,- u shpreh Ministri Basha gjatë takimit të KNEC.
Helmut Lohan
Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian Helmut Lohan, zv.ambasadorja e OSBE Renate Hermans dhe Manuel Montobio ambasador i Spanjës, vendit që kryeson Bashkimin Evropian, vlerësuan si të suksesshëm përballimin e fazës së parë të emergjencës civile nga qeveria shqiptare. Lohan, Hermans dhe Montobio deklaruan se do të mbështesin pranë institucioneve evropiane financimin e projekteve që do të paraqiten nga qeveria shqiptare për rehabilitimin e plotë dhe riaftësimin e zonës së prekur nga përmbytja. Edhe përfaqësueset e Bankës Botërore dhe organizatave të OKB-së, me seli në Tiranë, Nuamah dhe Cosslet, shprehën gatishmërinë për të mbështetur projektet që do të paraqiten nga qeveria shqiptare për qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës.
Selitë diplomatike
Përfaqësuesit e selive diplomatike të Italisë dhe Zvicrës garantuan gjithashtu se do të kërkojnë mbështetjen nga qeveritë e tyre për projektet që do të ndërmerren nga qeveria shqiptare në zonat e prekura nga përmbytja. “Në takim u mbështet edhe ideja e ndërthurjes dhe mbështetjes me financime për zonat e prekura nga përmbytja edhe nëpërmjet projekteve në vazhdim të donatorëve të huaj. Gjatë takimit u vendos marrja në shqyrtim së pari nga vetë ministritë e linjës e rreth 180 projekteve për investime lokale të përgatitura nga vetë njësitë vendore të Qarkut të Shkodrës”, tha Ministria E Brendshme, përmes një deklarate. Sipas saj, brenda javës së ardhshme Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile do të vendosë mbi projektet që do të dërgohen për miratim në Këshillin e Ministrave. Ndërkohë, takimi i zgjeruar i Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile me komunitetin e donatorëve u parashikua të zhvillohet brenda gjysmës së parë të muajit shkurt.

Ky lajm është publikuar: 28/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›