E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli, 12 gjyqtarë zvarritin vendimet

Zvarritën vendimet gjyqësore në Apelin e kryeqytetit, gjenden me shkelje 12 gjyqtarë.

Fatos Mahmutaj

Ministria e Drejtësisë pohoi dje se, pas kontrollit të ushtruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë, ky institucion ka përgatitur një raport përfundimtar.  Në raport pohohet se gjatë kontrollit u konstatua se, 12 gjyqtarë të Apelit Tiranë, nga 1 janari deri më 30 dhjetor të vitit të kaluar, kanë dorëzuar në kryesekretarinë e kësaj gjykate jashtë afatit ligjor 700 dosje civile dhe penale, të cilat nga totali i çështjeve të përfunduara zënë 20%. “Inspektimi ka evidentuar faktin se, një numër i madh dosjesh janë dorëzuar minimalisht në një afat kohor mbi dy muaj nga dhënia e vendimit dhe maksimalisht 6 muaj nga dhënia e vendimit”, thuhet në raportin e Ministrisë, ku vazhdohet se: “Raporti evidenton se vonesat në dorëzimin e dosjeve kanë sjellë pasoja për të gjitha palët ndërgjyqësore, pasi nëse njëra palë kërkon të ekzekutojë vendimin, pala tjetër kërkon të bëjë rekurs për në Gjykatën e Lartë, kërkesë e cila, në bazë të ligjit, duhet të depozitohet në një afat prej 30 ditësh, nga njoftimi që u është bërë palëve”.
Apeli
I kontaktuar dje në telefon, kreu i Apelit të kryeqytetit Metush Saraçi, pohoi se ishte njoftuar se rreth orës 16:00, Ministria kishte dërguar kopje të raportit në këtë institucion, duke ua adresuar atë gjyqtarëve konkretë, që pretendohet se janë gjetur me shkelje. Këto dokumente ishin protokolluar në sekretari dhe i ishin dorëzuar kancelares së këtij institucioni, e cila do ua dorëzojë të hënën gjyqtarëve të gjetur me shkelje. Në këtë moment, pritet që këta të njihen zyrtarisht me aktin e kontrollit, shkeljet e konstatuara dhe do t’u kërkohet që të përgatisin dhe të depozitojnë në Inspektoratin e Ministrisë observacionet. Pasi të njihet edhe me pretendimet e gjyqtarëve për shkeljet, ministri do të vendosë, nëse do i dërgojë në KLD për masë disiplinore apo jo këta gjykatës. 
Alibeaj
Një muaj më parë, gjatë analizës vjetore të Apelit Tiranë, ministri Enkelejd Alibeaj, deklaroi se 12 gjyqtarë të kësaj gjykate kanë zvarritur shpalljen e vendimeve gjyqësore duke cenuar procesin e gjykimit dhe dëmtuar qytetarët. “Informacionet e marra nga kryeskretaria e këtij institucioni, e njohën ministrin me fakte të tilla si, shpallje të vendimeve gjyqësore pas 7 muaj e 23 ditësh nga marrja e vendimit. Nisur nga kjo Alibeaj, urdhëroi kryerjen e një inspektimi të plotë, me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive të gjyqtarëve, të cilët nuk kanë respektuar afatet procedurale në lidhje me dorëzimin e dosjeve. Në këto kushte gjyqtarët kanë shkelur të drejtën e palëve për gjykim brenda afatit të arsyeshëm ligjor, duke lejuar tejzgjatje të procesit dhe mosrealizim të të drejtave të tyre themelore në kohë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›