E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratia në Burrel, “krihen” qelitë në kërkim të sendeve të paligjshme

TIRANE – Arratia e dy të burgosurve pak ditë më parë në burgun Burrelit, ka bërë që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, të shtojë masat e sigurisë nëpër institucionet e vuajtjes së dënimeve.

Burime nga ky institucion pohojnë se, gjatë dy javëve të fundit janë kryer mjaft kontrolle nëpër burgje dhe paraburgime, ku janë gjetur sasi të konsiderueshme sendesh të paligjshme, duke përfshirë celularë dhe sende të forta. Thuajse të gjitha burgjet, i janë nënshtruar kontrolleve të imtësishme nga efektivët specialë, të cilët kanë “krehur” qelitë e të dënuarve, duke kontrolluar me imtësi të gjitha sendet e tyre. Ndërsa nga drejtuesit e institucioneve të vuajtjes së dënimit, janë marrë masa për ndarjen nëpër qeli dhe sektorë të ndryshëm të të burgosurve, që janë dyshuar për tentativa arratisjeje, apo prishje të qetësisë në vendin e vuajtjes së dënimit, në mjaft raste disa të burgosur janë transportuar nëpër burgje të tjera, në mënyrë që të shmangen tentativat e arratisë apo trazirat në qeli. Ndaj të dënuarve që u janë gjetur sendet e pa lejuara në qeli janë marrë masa ndëshkimore, siç është mbyllja e tyre në izolim apo ndalimi i takimeve me familjarët dhe ulja e sasisë së ushqimeve, që u dërgohen nga jashtë institucionit. Ndërsa të burgosurit kryeqytetas të Burgut 313, pak ditë më parë u përfshinë në protesta duke kërkuar përmirësimin e kushteve të ushqimit të ofruar nga institucioni, zgjatjen e orarit të ajrimit dhe mosushtrimin e dhunës nga Policia e Burgjeve. Pasi morën premtimin për zgjidhjen e këtyre problemeve, ata hoqën dorë nga protesta.                            fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›