E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli: Kërkoj një vend ku të fsheh familjen

Konflikti i një viti më parë për gjakmarrje, ka detyruar Luigj Bujajn nga Këlmendi të ngujohet me gjithë familje
"Më kërcënuan se do më zhdukin me gjithë familjen. Denoncova, por policia nuk ka bërë asgjë"
SHKODËR- Një familje e ngujuar kërkon ndërhyrjen e policisë për ndihmë, pasi ndihet e rrezikuar nga gjakmarrja. Dy ditë pas ngjarjes së ndodhur në komunën e Këlmendit, në Malësinë e Madhe, ku dy persona për fat i shpëtuan plumbave, kur u qëlluan teksa udhëtonin me makinë, familja e tyre është ngujuar. Fillimisht strehë kanë gjetur në stanin e bagëtive e më pas në shtëpinë e tyre dhe bëjnë apel për ndihmë, por deklarojnë se askush nuk është interesuar për ta.
***
Një konflikt i nisur që në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit të vitit të kaluar, mendohet të jetë dhe shkaku ngjarjes së ndodhur. Luigj Gjergj Bujaj, 38-vjeç, nga fshati Tamarë ka qenë duke udhëtuar nga fshati Nikç, drejt Tamarës së bashku me dajën e tij, Nikollë Gjok Grishaj. Tek një kthesë, në vendin e quajtur Muriq, në aksin Nikç-Vukël, mjetit i kanë dalë përpara dy persona të armatosur që kanë qëlluar drejt Bujajt. Ky ka mundur të shmanget pa u kapur nga plumbat dhe më pas ka dalë nga makina dhe është fshehur në terrenin përreth. Sipas policisë, autorë të kësaj ngjarjeje janë dy vëllezërit Kolë Mirash Naçaj, 23-vjeç dhe Çesk Mirash Naçaj, 30-vjeç. Nga deklarimet e marra, mësohet se dy vëllezërit kanë qenë të armatosur me automatik dhe pistoletë dhe pasi kanë qëlluar dy herë në drejtim të mjetit janë larguar pa vazhduar më tej. Objektivi ka qenë Luigj Bujaj dhe plumbat janë drejtuar nga ai, ndërsa daja i tij nuk është sulmuar nga dy vëllezërit Naçaj. Ata janë shpallur në kërkim nga policia, e cila ka kryer veprimet në vendin e ngjarjes, ku janë sekuestruar si provë materiale dy gëzhoja.
***
Sipas dëshmive të grumbulluara, gjatë zgjedhjeve për pushtetin vendor në shkurt të vitit të kaluar, dy vëllezërit nga Nikçi dhe Luigj Bujaj kanë pasur një konflikt mes tyre, konflikt ky i pambyllur akoma. Por Luigj Bujaj një ditë më parë ka marrë kërcënim serioz nga njëri prej vëllezërve Naçaj, i cili me anë të telefonit i ka thënë se do ta zhdukte me gjithë familje. "Kam kërkuar ndihmën e policisë, ku më parë bëra dhe denonciminpër ngjarjen e mëparshme. I kam telefonuar policisë në Malësinë e Madhe për t'i kërkuar ndihmë, por më janë përgjigjur se nuk mund të ngjiten në Këlmend pasi është ftohtë",- thotë ai. Në këto kushte, sipas rrëfimit të tij, ai ka larguar nga shtëpia gruan bashkë me katër fëmijët, të moshës 7, 9, 11 dhe 13-vjeç, tre djem e një vajzë dhe i ka fshehur."Që nga ora 11.00 kur mora kërcënimin e tyre e deri në orën 07.30 të ditës së sotme (e enjte), familjen e kam fshehur tek stani i bagëtive pas malit. Vetë bashkë me kushërinjtë e mi kemi ndenjur dhe ruajtur banesën time",- vazhdon më tej Bujaj, duke shtuar se mëngjesin e djeshëm e ktheu familjen në shtëpi, pasi atje ishte shumë ftohtë dhe nuk mund të rrihej. "Kam pritur ardhjen e policisë, por askush nuk ma vë veshin. I kërkoj shtetit të ndërhyjë, pasi jeta jonë rrezikohet. Unë nuk dal dot dhe jam i ngujuar, ndërsa ruaj për ndonjë sulm të mundshëm prej tyre",- bën apel ai. Sipas Bujajt, pas denoncimit nuk është bërë asgjë, dhe për këtë kërkon së paku një vend të sigurt ku të fshehë familjen.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›