Zbulohet 76-vjeçari me meningjit, niset për në Tiranë
Shkodër, mjekët kanë nisur dje në mbrëmje me urgjencë pacientin Llesh Mjekaj me simptomat e meningjitit
SHKODËR- Shënohet rasti i nëntë i sëmundjes së rrezikshme të meningjitit. Këtë herë harta e sëmundjes është shtrirë deri në rrethin e Shkodrës ku paraditen e djeshme është zbuluar rasti më i fundit. Bëhet fjalë për një burrë 76-vjeçar i cili pasi është diagnostikuar me sëmundjen e rrezikshme ngjitëse është nisur me urgjencë në drejtim të kryeqytetit për të marrë mjekim më të specializuar. Lajmi është pohuar dje nga mjekët e spitalit rajonal të Shkodrës, të cilët theksuan se gjendja e pacientit është tepër e rëndë.
Paraditen e djeshme në spitalin rajonal të Shkodrës është paraqitur një burrë i moshuar nga shati Karmë, i cili shoqërohej nga të afërmit et ij. Ata e kanë shpënë të sëmurin në repartin e neurologjisë dhe u kanë thënë mjekëve se 76- vjeçari kishte dhimbje të forta koke dhe të vjella. Menjëherë pacienti Llesh Mjekaj, 76 vjeç, nga Karma është shtruar në spital dhe mjekët kanë nisur që t'i bëjnë analizat. Ata kanë vënë re se i sëmuri kishte edhe temperaturë dhe kanë pyetur familjarët se sa kohë kishte në këtë gjendje. Këta të fundit u kanë shpjeguar se i moshuari kishte disa ditë kështu por vetëm atë mëngjes gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi. Në orët e pasdites kanë përfunduar të gjitha analizat dhe mjekët e Shkodrës kanë zbuluar se i moshuari vuante nga meningjiti. Menjëherë ai është izoluar nga pacientët e tjerë dhe është bërë gati një makinë për ta nisur drejt kryeqytetit. "Rreth orës 20 e 30 minuta pacienti Llesh Mjekaj është nisur në drejtim të Tiranës pasi është diagnostikuar me sëmundjen e meningjitit. Po vazhdojmë analizat tek të afërmit e tij por deri tani asnjë prej tyre nuk ka shfaqur simptoma të sëmundjes së rrezikshme",- thanë dje mjekët nga Shkodra. Sipas tyre, 76-vjeçari ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ai ka mbërritur në spitalin infektiv në Tiranë. Mjekët pohuan se simptomat e meningjitit ishin të qarta tek 76-vjeçari dhe tashmë ai do të marrë një trajtim më të specializuar. Ata shpjeguan edhe një herë se pacientët që vihen re me simptoma si temperatura e lartë e shoqëruar me dhimbje të fortë dhe të vazhdueshme të kokës, dhe të vjella; ngurtësim i qafës dhe njolla në lëkurë, të cilat nuk zbehen nga shtypja duket të dërgohen menjëherë në qendrat e specializuara shëndetësore për të parandaluar në kohë sëmundjen ngjitëse. Gjatë kësaj kohe institucionet shëndetësore janë përpjekur që ta minimizojnë këtë valë meningjiti duke pohuar se çdo vit shënohen rreth dhjetë raste të tilla por deritani (24 ditë të muajit janar) kjo sëmundje ka shënuar nëntë të prekur, një nga të cilëve gjeti vdekjen. Nëse kjo situatë vazhdon edhe për 11 muajt e tjerë të vitit rrezikon që të bëhet tepër shqetësuese.