E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e 27-vjeçarit, çifti mohon akuzën

Policia: Çifti i bashkëshortëve do dërgohet për ekzaminim mendor pasi japin dëshmi kontradiktore e të paqarta
KOLONJË- Dy të arrestuarit e policisë së Kolonjës kanë mohuar që të jenë autorët e vrasjes së 27-vjeçarit Kostika Tulla. Çifti i bashkëshortëve, Leonidha Kupe, 50-vjeç dhe Bukuroshe Ebeja, 42-vjeç janë marrë në pyetje të ndarë nga njëri-tjetri dhe kanë dhënë dëshmi tepër kontradiktore. Sipas policisë, të dy bashkëshortët kanë pranuar pas shumë orëve pyetje se kanë qenë bashkë me të riun, ndërsa janë kontradiktorë në mënyrën se si ai ka vdekur. Duke iu referuar burimeve të mirinformuara nga policia mësohet se gruaja Bukuroshe Ebeja ka pranuar se djali ka qenë bashkë me ta në kishën e Shën Dëllisë, në malin e Melesinit. Ai ka deklaruar se 27-vjeçari iu është vënë pas, pa dëshirën e tyre, ndërsa ka rrëshqitur aksidentalisht, duke gjetur vdekjen në humnerë. Ndërsa burri i saj thotë se nuk e ka parë atë të rrëshqiste. Policia mendon se grabitja e arkës së vendit të shenjtë nga ana e 27-vjeçarit të jetë bërë dhe shkak i këtij krimi, ndërkohë që për këtë qëllim mendohet të ketë shkuar dhe çifti i besimtarëve, të cilët kanë deklaruar se shkonin gjithmonë për tu lutur në këtë vend të shenjtë. Në arkën e kësaj kishe nuk janë gjetur të holla, por edhe gjatë ekspertizës ligjore dhe këqyrjes së kufomës nuk është gjetur asnjë e hollë në xhepat e viktimës. Mësohet se për vetë kushtet në të cilat gjenden dy të ndaluarit, policia mendon t'i çojë ata në një ekzaminim mendor. Dyshohet që dhe ata të kenë probleme mendore si viktima, vdekur nga hedhja në një thellësi prej 50 metrash në një humnerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›