Apeli: Më dhunon burri, më ndihmoni
Afërdita Ngjela, 48-vjeçare tregon torturat e7 viteve nga bashkëjetesa me Safet Dadikun
ELBASAN- Dhuna ndaj gruas ka përmasa përtej realitetit dhe shumë femra gjenden çdo ditë nën dhunën fizike, psikologjike dhe seksuale të bashkëshortëve të tyre. Afërdita Ngjela, 48-vjeç, me banim në lagjen "Vullnetari" të qytetit të Elbasanit tregon se prejvjetësh përballet me dhunën fizike, kërcënimet dhe fyerjet e bashkëshortit të saj. Ajo është martuar 12 vjet më parë me Safet Sadikun dhe nga kjo martesë nuk ka pasur fëmijë. "Vitet e para nuk kemi pasur probleme të tilla, por më vonë ai filloi të pinte të kthehej vonë dhe të më godiste. Unë kam edhe një vajzë, e cila që e vogël ka parë dhunën që përdorte ai ndaj meje, jo vetëm brenda mureve",- nis rrëfimin ajo. Duke mos dashur ta bënte problem, duronte dhunën dhe si tregon edhe vetë, i premtonte vajzës se situata do të kalonte dhe gjërat do të përmirësoheshin. Por në fakt nuk ndodhi kështu.
"Ai më rrihte sa herë që kthehej i dehur dhe kjo situatë vazhdon prej vitesh. Kam shkuar në gjykatë dhe në polici, por askush nuk e ka marrë parasysh denoncimin tim dhe nuk kanë vepruar ndaj atij",- thotë ajo duke shtuar se tashmë bashkëshorti e kërcënon përmes personash të tjerë, që sipas saj synojnë t'i bëjnë keq. "Ndjehem shumë e kërcënuar dhe kam frikë se do të më ndodhë ndonjë gjë e keqe nëse shteti nuk ndërhyn. Kam shkuar edhe në qendrat e grave por as atje nuk më kanë dhënë ndonjë ndihmë",- thotë ajo. Afërdita jeton tashmë me vajzën e saj, por vazhdon të jetë e frikësuar, pasi dhunuesi i saj shfaqet e rishfaqet ndërsa nuk ka pasur asnjë masë ndaj tij nga policia. Ajo dëshmon se për vite ka duruar dhunën dhe tashmë po duron presionet duke u ndjerë në rrezik për jetën nga ai. Rastet e dhunës në familje janë të përmasave në Elbasan. Shumë gra përfundojnë me dëmtime të rënda në spital por vetëm në pak raste ato denoncojnë dhunën e ushtruar mbi to nga bashkëshortët. Ndërkohë, rastet që përfundojnë në prokurori në shumicën prej tyre mbyllen pa mbërritur në gjykatë, pasi gratë në presione tërheqin denoncimin e tyre.