Mungon gazi prej 3 ditësh, çmimi arrin në 1350 lekë/kg
BERAT-Prej më shumë se tre ditësh, në qytetin e Beratit mungon furnizimi me gaz të lëngshëm,ndërkohë që kjo mungesë është shfrytëzuar më së miri nga tregtarët, që kanë rritur ndjeshëm çmimin e tij. Pronari i një prej pikave më të mëdha të tregtimit të gazit, me pakicë e shumicë, në qytetin e Beratit, ka pohuar se ka më shumë se tre ditë që pika e tij nuk po furnizohet me këtë produkt, ndërkohë që me uljen e menjëhershme të temperaturave gjatë këtyre ditëve, kërkesat për gaz nga ana e familjeve beratase kanë qenë të mëdha. Sipas tij, kjo pikë nuk ka arritur dot të plotësojë gjatë këtyre ditëve kërkesat gjithnjë e në rritje të qytetarëve për furnizimin me gaz, ndërkohë që vetë ai pohon se çmimi i gazit gjatë këtyre ditëve është rritur, duke arritur në 1350 lekë (të vjetra) për kilogram. Vetë banorët e pyetur në lidhje me këtë shqetësim janë shprehur se prej disa ditësh ata nuk po gjejnë dot gaz për të mbushur bombolat, që i përdorin, jo vetëm për ngrohje, por edhe për gatim, ndërkohë që çmimi i gazit po bëhet tashmë i papërballueshëm për ta. «Të ardhurat normale të një familjeje nuk mund ta përballojnë dot rritjen për kilogram të çmimit të gazit, pasi sa herë që ka probleme apo ulen ndjeshëm temperaturat tregtarët e gazit e shfrytëzojnë këtë situatë në favor të tyre,duke rritur pa kriter çmimin e këtij produkti të nevojshëm për çdo familje»,- ankohen banorët. Nga ana tjetër, ndaj tregtarëve nuk bëhet asnjë kontroll, as për çmimin e as për respektimin e peshës së tyre, që në shumë raste janë nën peshë.