Tritol shtëpisë së ish-gruas, arrestohet
Policia e Vlorës arrestoi Ahmet Lazen, nën akuzën e vendosjes së tritolit në banesën e ish- bashkëshortes
Vlorë- Vetëm pak kohë pas shoqërimit, policia e Vlorës ka prerë fletë- arrestin për 54-vjeçarin Ahmet Laze, i akuzuar për vendosjen e tritolit në banesën e ish- gruas dhe dy vajzave. Urdhri është marrë pas orës 01.30 të së hënës, ndërsa dje zëdhënësja e policisë së Vlorës, Rezarta Leli, ka bërë me dije procedurat e ndjekura dhe akuzën që rëndon mbi të ndaluarin. Sipas Lelit, pas ngjarjes janë ngritur dy grupe hetimi dhe nën drejtimin e prokurorëve mbi bazën e të dhënave dhe dyshimeve, filloi hetimi intensiv në lidhje me të dyshuarit kryesorë, hetim ky që është përqendruar në rrethet Vlorë, Tiranë e Durrës, pika nga të cilat mund të lëvizte i kërkuari, Ahmet Laze, ish- bashkëshorti i Anxhela Myrtaj. Pas 48 orë kërkimesh, me ekspertë të mirëfilltë të krimeve kundër personit dhe prokurorët e sektorëve, u bë e mundur kapja në Portin e Durrësit dhe më pas ndalimi i shtetasit Ahmet Laze, 54-vjeç, i divorcuar, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes së ndodhur tre ditë më parë, ku u shkatërrua me tritol banesa e Myrtaj si dhe fqinjëve të saj. Sipas policisë grupet e hetimit po punojnë intensivisht për zbulimin dhe dokumentimin e motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, si dhe lidhjet e tjera me krimet e këtij lloji në drejtim të familjes Myrtaj, dhe disa personave të tjerë, fqinjë, të dëmtuar nga shpërthimi, akte këto të ndodhura dhe më parë. Në prokurorinë e Vlorës kanë shkuar materialet për çështjen, e lidhur me veprën penale të shkatërrimit të pronës me lëndë eksplozive. Shpërthimi ndodhi tri ditë më parë, në ora 04.10 në lagjen « Osman Haxhiu», ku u vendos një sasi eksplozivi pranë hyrjes së banesës së Anxhela Myrtaj, në katin e gjashtë të pallatit që ndodhet pranë bashkisë. Si pasojë e aktit kriminal, u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në dy katet e sipërme të pallatit, por edhe banesa të tjera, fatmirësisht pa dëme për njerëz. Si i dyshuar kryesor për ngjarjen është Ahmet Laze, hetimet për të cilin do të vijojnë.