E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli: Shpëtoni jetën e Sadamit

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Një javë jetë për 13-vjeçarin Sadam Dekovi. Vetëm pasi mjekët kanë dhënë këtë afat për fatin e të miturit, familjarët kanë bërë apel publik për ndihmë. Nxënësi që studion për piano në klasën e 6-të të shkollës artistike “Prenk Jakova” në Shkodër, ka nevojë urgjente për një transplant veshke. Ai rrezikon jetën, pasi prej lindjes në trup ka pasur vetëm një veshkë, ndërsa prej tetorit të vitit 2008 ndodhet në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, pasi veshka tjetër është jashtë funksioni. Mjekët e kësaj qendre kanë qenë skeptikë për fatin e të miturit, duke humbur shpresat e familjarëve të tij. Sapo kanë marrë vesh lajmin e hidhur, familjarët e Sadamit kanë qenë të detyruar t’i bëjnë apel qeverisë dhe qytetarëve të Shkodrës që të kontribuojnë me fonde financiare për të realizuar transplantin. Ata thonë se edhe pse është gjetur veshka zëvendësuese, e cila do t’i dhurohet nga tezja e tij, shpenzimet për ta realizuar këtë transplant, i cili mendohet të arrijë në 50 mijë euro, janë të papërballueshme nga familjarët e tij. Sadam Dekovi nga fshati Shtoj i Ri i Shkodrës prej 4 muajsh ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Tiranës, në pritje që gjithçka të ndryshojë për të. Sipas tezes së tij, Sulltana Shkreli, Sadami ka shfaqur probleme me veshkat që pas lindjes, por duhej të arrinte moshën 13-vjeçare që trupi të ishte gati për kryerjen e një transplanti. “Kemi takuar ministren e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila na tha të gjenim personin që do të dhuronte veshkën për djalin, ndërsa shpenzimet e transplantit i heq qeveria”, pohon tezja. Kur kanë marrë një premtim të tillë prindërit e Sadamit janë interesuar që të gjejnë një dhurues dhe për këtë të gjithë të afërmit e tij i janë nënshtruar analizave dhe kontrolleve për të parë se veshka e kujt mund t’i përshtatet organizmit të djalit. Pas mëse dy muajsh analizash fati e deshi që sipas mjekëve të ishte veshka e tezes së tij, e cila t’i plotësonte kushtet për transplantim. Edhe pse të gjitha procedurat ligjore kanë përfunduar ditën e hënë dhe kur të afërmit e 13-vjeçarit janë adresuar për te Ministria e Financave për të siguruar zyrtarisht mbështetjen, kjo e fundit u ka pohuar se aktualisht është e pamundur sigurimi i fondit. Sipas përgjigjes së ministrit Bode, një gjë e tillë mund të realizohet 6-mujorin e dytë të këtij viti. Për familjarët e Sadamit një përgjigje e tillë është e papërgjegjshme kur mjekët kanë deklaruar se, nëse brenda 1 jave ndërhyrja nuk kryhet, djali rrezikon jetën. Nëse sigurohen këto para, ndërhyrja mund të kryhet në një prej spitaleve private në Tiranë ose jashtë vendit, me mjekë të specializuar për transplante veshkash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›