“Dosjet”, prokurorët ankim në Kushtetuese
Trazhgim Sokolaj
Shoqata Kombëtare e Prokurorëve dorëzon në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e ligjit të Lustracionit, në dispozitat që bëjnë fjalë për organin e akuzës.Të paktën gjashtë atakime serioze, që ligji i dosjeve krijon me Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit janë renditur në argumentet e padisë së prokurorëve. Burime zyrtare konfirmuan dje për gazetën “Panorama”, se kryetari i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve Pelivan Malaj dhe sekretari i Përgjithshëm Shkëlqim Hajdari, dorëzuan ankimin në Gjykatën Kushtetuese pak orë para mesditës së djeshme. Bashkë me shkresën e kërkesës për shfuqizimin e ligjit, Shoqata e Prokurorëve ka dorëzuar edhe dokumentin e Statutit të saj çka legjitimon përfaqësimin e interesave të prokurorëve në të gjithë vendin. Në emër të tyre, Shoqata Kombëtare e Prokurorëve i kërkon Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e ligjit të dosjeve apo të quajtur ndryshe “ligji i Lustracionit”, duke konsideruar se bëhet fjalë për mospërputhje të dukshme me ligjin “Për Prokurorinë” dhe me Kushtetutën e vendit. Një nga pikat kryesore ku bazohen prokurorët, është ajo sipas të cilës edhe në rast se Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Presidenti, zbatojnë ligjin e Dosjeve apo vendimet e Komisionit të Verifikimit të Figurave, duke dekretuar shkarkimin e gjyqtarëve apo të prokurorëve, ky është një rrezik për vetë KLD-në dhe kreun e shtetit që ata të bien në shkelje të ligjit, pasi Kushtetuta dhe ligjet e tjera, parashikojnë qartë kushtet dhe shkaqet e shkarkimit të gjyqtarëve e prokurorëve, duke nxjerrë jashtë ligjit çështjen e dosjeve.
Kundërshtimet e prokurorëve
Përfaqësuesit e prokurorëve kanë renditur gjashtë pika si argumentet kryesore me të cilat ata kërkojnë shfuqizimin e ligjit të dosjeve në Gjykatën Kushtetuese. Sipas prokurorëve, “ligji në fjalë bien ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë, çka do të thotë se askush nuk mund të konsiderohet fajtor dhe të ndëshkohet qoftë edhe me shkarkim nga detyra, në rast se ndaj tij nuk është shpallur një vendim gjykate i formës së prerë”. Argumenti tjetër është se ligji i Dosjeve, bie ndesh me ligjin organik të Prokurorisë, i cili është miratuar me shumicë të cilësuar votash, plot 84 të tilla pra me më shumë mbështetje parlamentare sesa ligji i dosjeve që u miratua me shumicë të thjeshtë. Prokurorët theksojnë se ligji i dosjeve nuk mund të prevalojë mbi ligjin “Për prokurorinë” dhe mbi Kushtetutën, të cilat sqarojnë qartë kushtet në të cilat shkarkohet një prokuror, në rastet kur është dënuar me vendim të formës së prerë, kur është i paaftë për detyrën, etj. Sipas prokurorëve, ligji i Dosjeve cenon rëndë parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, pasi është një ligj i iniciuar nga Qeveria (ekzekutivi) i miratuar nga Parlamenti (legjislativi) dhe që shtrin efekte specifike (shkarkime për çështje të veçantë) mbi gjyqësorin dhe prokurorinë, që me ligj është vendosur pranë gjyqësorit. Pika e fundit e argumenteve të padisë së prokurorëve, thekson se ligji i Dosjeve cenon të drejtën për të kandiduar, për t’u zgjedhur apo për të konkurruar për ata prokurorë që preken nga ligji e që duan me dëshirën e tyre të largohen nga organi i akuzës për të marrë detyra të tjera apo për t’u përfshirë në zgjedhje për pushtetin qendror apo vendor.
Ligji i dosjeve, bie ndesh me:
Nenin 18 të Kushtetutës
1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.
Nenin 17 të Kushtetutës
1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.
2. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të së drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Nenin 30 të Kushtetutës
Kushdo quhet i pafajshëm, përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.
“Lustracioni”, prokuroria dhe KLD-ja në dilemë për zbatimin
TIRANE – Ligji i Dosjeve hyri në fuqi në ora 16:00 të 29 janarit 2008, por askush nga institucionet apo personat që janë objekt i tij, nuk është kujdesur ta zbatojë atë të paktën deri më tani kur kanë kaluar gjashtë ditë. Prokuroria e Përgjithshme e cila ka tagrin ligjor t’i propozojë Presidentit shkarkimin e prokurorëve, duket se është në dilemë. Në të njëjtën situatë duket se është edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili me ligj ka të drejtën të fillojë procedurën e shkarkimit të gjyqtarëve, e cila merr fund në Presidencë, pasi kreu i shtetit të hedhë firmën mbi dekretin përkatës. Në mungesë të reagimeve zyrtare duket se institucionet janë vendosur në pritje të verdiktit, që do të japë Gjykata Kushtetuese për ligjin e shumëpërfolur dhe të debatuar jo vetëm brenda vendit, por së fundi në një spektër të gjerë ndërkombëtar. Ligji i Dosjeve parashikon largimin nga detyra për prokurorë dhe gjyqtarë, që kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit dhe që kanë marrë pjesë në procese politike. Shkarkimi sipas ligjit, bëhet nga Komisioni i Verifikimit të Figurave. Mirëpo për vetë objektin e ligjit të Dosjeve ai bie ndesh me ligjin “Për gjykatat dhe prokurorinë”, pasi shkarkimi i prokurorëve bëhet nga presidenti me propozim të kryeprokurorit dhe për gjyqtarët, shkarkimi bëhet nga kreu i shtetit me propozim të KLD-së. Megjithatë, ish-drejtori i hetimit dhe ndjekjes penale në Prokurorinë e Përgjithshme Zamir Shtylla, dha dorëheqjen vetëm pak minuta pas hyrjes së ligjit të Dosjeve në fuqi përmes heshtjes së Presidentit Topi. Prej shumëkujt dorëheqja e prokurorit Shtylla nga detyra e kreut të hetimit dhe shefit të grupit hetimor të dosjes “Gërdeci” u duk si një “dorëzim” në raport me ligjin e Dosjeve. Megjithatë ditën e djeshme, ky ligj është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata Kombëtare e Prokurorëve, e cila numëron në radhët e saj përfaqësuesit e akuzës në të gjithë vendin. tr.so
Dosjet, Biberaj: Ka hapësirë për reflektim
Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj tha dje se ka ende hapësirë që maxhoranca të diskutojë ligjin e Dosjeve, pas kritikave të ndërkombëtarëve. Në një prononcim për mediat, ai u shpreh se “ka hapësirë që maxhoranca të bisedojë me partnerët tanë strategjikë, me partnerët ndërkombëtar në mënyrë që të arrihet një kompromis i kënaqshëm, duke mos prekur thelbin e ligjit, por duke qenë në sinkron me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe dhe shteteve kryesore të BE—së”. Sipas tij, SHBA dhe vendet e BE-së kanë kontribut në gjithë zhvillimet e Shqipërisë në dy dekadat e fundit dhe në këto kushte duhet punuar për një zgjidhje të pranueshme. “Duhet të kemi parasysh se këto janë partnerët tanë strategjik dhe kryesor, duhet të kemi parasysh edhe kontributin e tyre në rrëzimin e sistemit komunist në vendet e Evropës Lindore dhe Shqipëri si dhe kontributin e tyre në reformat e Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit, por edhe ndihmën e kontributin e tyre për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Unë gjykoj se ne kemi hapësira për të bashkëpunuar me aleatët tanë strategjik, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e pranueshme”, vijoi më tej Biberaj.