I sëmuri mendor thyen me sëpatë ambulancën e shkollën
KAVAJE- Një i sëmurë mendor është vënë në pranga nga policia e Kavajës, pasi me një sëpatë në dorë ka nisur të thyejë dhe të presë disa objekte publike. Sipas njoftimit për shtyp nga policia e kryeqytetit mësohet se është arrestuar 36-vjeçari Përparim Bashmeta, banues në fshatin Bago të Kavajës. Burime nga policia bënë të ditur se Bashmeta fillimisht e ka nisur “luftën” e tij me pemët që ndodhen në anë të rrugës së fshatit Bago. Ai ka dalë nga shtëpia me një sëpatë në dorë dhe ka filluar t’i presë të gjitha pemët me radhë. Edhe pse i është bërë thirrje që të ndalojë nga banorët e fshatit, askush nuk ka mundur t’i afrohet, pasi sipas dëshmive në ato momente gjendja e 36-vjeçarit ishte rënduar. Të njëjtat burime bënë të ditur se pasi ka prerë gati 17 pemë, ai është drejtuar për nga ambulanca e fshatit. Fillimisht ka shkallmuar derën me sëpatë, pastaj ka thyer të gjithë xhamat. Në ato momente infermierët kanë lajmëruar policinë për ta ndaluar 36-vjeçarin, i cili i kishte vënë qëllim vetes që të shkatërronte gjithçka. Por policia nuk ka mundur të arrijë në kohë, të paktën jo sa të shpëtonte edhe shkollën 9-vjeçare, e cila e ka pasur radhën pas ambulancës. Bashmeta i ka thyer edhe të gjithë xhamat e dritareve të katit të parë të shkollës, pastaj është vënë në pranga nga policia. Burime nga Komisariati i Kavajës bënë të ditur se 36-vjeçari vuante nga një sëmundje mendore, por nuk kishte pasur më përpara probleme të tilla.