Qendër prostitucioni tek ambasadat, pranga pronarit të hotelit në Tiranë
TIRANE- Policia ka zbuluar një hotel në Tiranë ku ushtrohej prostitucion dhe ka vënë në pranga dy persona. Njëri nga të arrestuarit është pronari i hotelit “Drilon”, i cili ka lejuar veprimtarinë e jashtëligjshme dhe tjetra është një 40-vjeçare, e cila është kapur duke ushtruar prostitucion. Sipas burimeve nga policia, bëhet e ditur se arrestimi i një gruaje dhe i pronarit të hotelit është bërë në kuadër të operacionit policor të koduar “Drilon”, realizuar nga specialistët e seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në pranga kanë përfunduar 40-vjeçarja, Sofie Aliaj, banuese në Shkozë të kryeqytetit dhe Sulejman Shehu, 48-vjeç. Aliaj është kapur në flagrancë duke ushtruar prostitucion në ambientet e hotel “Drilon”, pranë Bllokut të Ambasadave, në kryeqytet, kundrejt shumës së parave prej 2 mijë lekësh të rinj, ndërkohë që xhiroja e saj deri në momentin e arrestimin kishte arritur shifrën 30 mijë lekë të rinj. Ndërkohë që 48-vjeçari Shehu, rezulton të jetë pronari i hotelit. Arrestimi i tij u krye për veprën penale të “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion”. Ky person dyshohet se në kohë dhe periudha të ndryshme ka mbajtur këtë hotel për ushtrimin e prostitucionit, duke përfituar edhe vetë një përqindje të caktuar nga paratë që fitoheshin nga kjo veprimtari. Burime nga policia bënë të ditur se ky hotel është bllokuar edhe dy herë të tjera për të njëjtën veprimtari, madje edhe pronari i tij është shoqëruar disa herë në polici. Pasi u kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale të “Ushtrim prostitucioni” dhe të “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma prej 30 mijë lekësh të rinj të përfituar vetëm përgjatë ditës së martë, nga mëngjesi deri në orën 14:00, ku është realizuar operacioni. Ndërkohë që vazhdojnë ende verifikimet, për të vërtetuar nëse Sofie Aliaj ishte e vetmja femër që ushtronte prostitucion në ambientet e atij hoteli, apo kishte edhe femra të tjera.