E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova pranon bisedimet me Serbinë por, “si dy shtete”

 

“Kosova mund të hyjë në bisedime teknike me Serbinë vetëm në cilësinë e dy shteteve të barabarta, ku do të trajtohen çështje të interesave reciproke”, tha dje Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Reagimi erdhi vetëm një ditë pasi Presidenti serb Boris Tadiç ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me autoritetet kosovare. Nga ana tjetër autoritetet në Prishtinë kanë shprehur dëshirën të kenë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe kanë pranuar të takohen me autoritete serbe si vende fqinje. Por është gjuha diplomatike me të cilën do të trajtohen këto takime, që ka nxjerrë probleme për realizimin e tyre. Presidenti Fatmir Sejdiu theksoi pozicionin e Kosovës në bisedimet eventuale me Serbinë, duke bërë të qartë se Prishtina nuk do të pranojë asnjë formë të dialogut, që synon kthimin në tavolinën e bisedimeve të çështjeve të statusit. “Me Serbinë mund të bisedohet vetëm në kuadër të vendosjes së marrëdhënieve reciproke, ngjashëm si veprohet edhe me vendet tjera të rajonit. Në asnjë situatë, në asnjë vend, në asnjë hapësirë dhe në asnjë temë nuk mund të bisedohet për çështjet që kanë për qëllim hapjen e çështjeve statusore, çështjet që duan të ndërhyjnë në punët e brendshme të Kosovës, në sovranitetin, integritetin dhe funksionimin e institucioneve të saj. Në tema të kësaj ambicieje nuk do të bisedojmë asnjëherë”, tha Presidenti Sejdiu. Edhe qeveria e Kosovës përjashton çdo mundësi për bisedime me Beogradin pa përcaktuar qartë agjendën dhe nivelin teknik të këtij dialogu. “Kosova është shtet, Serbia është shtet. Për çështje politike, as me ndërmjetësues, as pa ndërmjetësuar, nuk do të bisedohet. Sa i përket çështjeve teknike, ne bisedojmë edhe me vendet tjera, sikur me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, mund të bisedojmë edhe me Beogradin. Por, Kosova tash e një vit është shtet i pavarur, i njohur nga 54 shtete të fuqishme”, u shpreh Kryeministri Hashim Thaçi. Autoritetet serbe pritet të takohen me përfaqësuesit e UNMIK dhe EULEX për të diskutuar mbi zbatimin e gjashtë pikëshit të planit të Ban Ki Mun, të cilin Kosova nuk e ka pranuar. Qëndrimi mes zyrtarëve të Kosovës me autoritetet e UNMIK është ftohur, pasi për ta misioni i UNMIK-ut tashmë nuk ka pse të qëndrojë në Kosovë. Mandati i tij, sipas planit Ahtisari që zbaton vendi ka përfunduar dhe është zëvendësuar nga EULEX. Që nga e premtja e kaluar, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier ka kërkuar që të takojë Presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, për t’u paraqitur atyre përmbajtjen e një takimi që kishte zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, në Nju Jork dhe në lidhje me angazhimet e Kombeve të Bashkuara për dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›