E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëlloi shokun, në gjyq për vrasje

 

Trazhgim Sokolaj

Një person mbërrin i plagosur në gjendje të rëndë në QSUT në Tiranë. Pak orë më pas vdes si pasojë e plagëve, ndërsa policia lajmërohet prej mjekëve. Nuk ka asnjë dëshmitar që të tregojë për ngjarjen, vendi ku ka ndodhur krimi është mister ndërsa dy ditë më pas, nga dëshmia e një infermiere, policia mbërrin deri tek autori i ngjarjes. I cili është në fakt një koleg dhe shok i viktimës që nën peshën e fajit dhe të pendesës, duket se pranon autorësinë e krimit, të cilin dy ditë para arrestimit ishte përpjekur ta fshihte. Kjo është me pak fjalë historia e dosjes penale në ngarkim të 25-vjeçarit Shemsi Shaljani, i cili është dërguar i pandehur në gjyq me akuzën e “vrasjes nga pakujdesia” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Dosja penale me nr.701 është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës ditët e fundit, pasi prokuroria përfundoi hetimet dhe zbardhi rrethanat e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 25 nëntorit 2008 kur në rrethana të paqarta, Ferdinand Gjata u paraqit i plagosur rëndë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Fillimisht policia dyshoi se viktima kishte mbërritur aty në grahmat e fundit duke drejtuar makinën e tij që u gjend në oborr. Vendi ku ishte realizuar goditja me armë mbeti mister çka vështirësonte punën e policisë në gjetjen e provave dhe dëshmitarëve të krimit. Pas mjekimeve të para dhe ndihmës së dhënë nga mjekët, 25-vjeçari Ferdinand Gjata, nga Berati gjen vdekjen pa arritur të japë asnjë sqarim për ngjarjen. Gjithçka mbeti mister derisa agjentët e policisë shkuan dhe tërhoqën trupin nga spitali për procedurat e nevojshme të hetimit. Njëri nga agjentët e policisë që u aktivizua në hetimin e çështjes arriti që gjatë mbledhjes së dëshmive, të mësonte nga një infermiere e spitalit një fakt domethënës. I plagosuri që humbi jetën ishte përcjellë deri në oborrin e spitalit nga një person i cili e kishte braktisur 25-vjeçarin aty pranë, në mënyrë që të mos identifikohej nga mjekët apo persona të tjerë. Miku i 25-vjeçarit, njëkohësisht autor i vrasjes së tij, ishte larguar më pas në drejtim të panjohur derisa agjentët e policisë shkuan në makinën e 25-vjeçarit të vrarë dhe fiksuan aty të gjitha gjurmët e gishtave. Verifikimi i tyre zbuloi se disa shenja të lëna gjatë transportit të shokut në spital me makinë, ishin të Shemsi Shaljanit, i cili u shoqërua menjëherë në polici. Agjentët bënë kujdes gjatë pyetjes dhe i dyshuari duke menduar se policia dinte gjithçka rrëfeu krimin që kishte fshehur 48 orë më parë. Gjatë deklarimeve të tij, Shemsi Shaljani ka pohuar se ai dhe miku i tij Ferdinand Gjata mbanin një pistoletë pa leje, e cila kishte një defekt. Në një moment prove ajo kishte shkrepur duke shkaktuar goditjen e 25-vjeçarit që më pas humbi jetën. Për këtë ngjarje, miku i viktimës akuzohet se ka kryer “vrasje nga pakujdesia” dhe “armëmbajtje pa leje”. Dosja është dorëzuar në gjykatë dhe së shpejti pritet të fillojë procesi gjyqësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›