"Infermieria fakultet, jo shkollë profesionale"
DURRES - "Të quhet Fakultet dhe jo Shkollë e Lartë Profesionale". Kjo ka qenë kërkesa unanime e studentëve të degës së Infermierisë në Universitetin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit. Mbi 170 studentë të vitit të parë, të dytë dhe të tretë të kësaj dege, kanë bojkotuar mësimin, duke vijuar më pas me një protestë dyorëshe në oborrin e universitetit dhe braktisjen e leksioneve. Vendimi i fundit i Ministrisë së Arsimit, që e ka klasifikuar Infermierinë e Durrësit, jo më si Fakultet, por si Sh.L.P. ka indinjuar studentët, të cilët ende nuk kanë marrë në duar diplomat e para. Ata shprehen se "nuk do të marrin në dorëzim të tilla diploma, që u ngjajnë më shumë kurseve disamujore sesa laureave të mirëfillta universitare". "Nuk jemi dakord me mënyrën e formulimit, të tyre", protestuan ata njëzëri. Shumë studentë e quajnë "një pabesi të ministrisë këtë ndryshim të papritur". "Kjo është e çuditshme, pasi në formularët A2 të aplikimit në Universitetin e Durrësit shkruhej Fakulteti i Infermierisë, ndërsa tani e ndryshojnë papritur këtë emërtim, duke i dhënë statusin e Shkollës së Lartë Profesionale" - deklaruan grevistët. Kjo protestë pati edhe mbështetjen e qeverisë studentore të "Aleksandër Moisiu". o.u