Urgjenca kirurgjikale, peticion për statusin e pagën
zirina llambro
Presin rastet më të vështira, nga të plagosurit me armë zjarri e deri te problemet më të rënda shëndetësore, por çuditërisht nuk trajtohen veçmas kolegëve të tyre në pavijone. Kjo si në aspektin profesional por edhe sa i përket pagës. Stafi i infermierëve të urgjencës kirurgjikale nuk ka statusin e specialistit por vlerësohet njësoj si personeli i mesëm që punon në pavijon. Duke e cilësuar si jo normale këtë situatë të njëjtë prej disa vitesh, ata kanë nisur një peticion në Drejtorinë e Spitalit "Nënë Tereza". Në kërkesën e tyre mbështeten edhe nga shefi i shërbimit të Urgjencës Kirurgjikale Ylli Zicishti. "Ne kolektivi i Urgjencës së Kirurgjisë në Spitalin nr. 2 bëjmë këtë kërkesë për të na rishikuar me përparësi emërtimin jo si infermiere pavijoni, por si infermiere të specializuara në instrumentim dhe përpunimin e plagëve e infeksioneve", thuhet në letrën dërguar Drejtorisë së QSU. Në të theksohet se puna në urgjencë, si nga mjekët, ashtu dhe nga personeli i mesëm, është e ndryshme nga ajo në pavijon. "Në urgjencë paraqiten raste të vështira si trauma dhe plagë me armë zjarri, të cilat kanë specifikën e tyre në trajtim. Prandaj ju lutemi të rishikoni vështirësinë dhe emërtimin e personelit, pasi nuk mund kurrsesi të trajtohen njësoj", thekson stafi. Sipas tyre, në ambulancën e pranimit dhe mikrokirurgji ka 11 shtretër dhe përballohet fluksi i madh i pacientëve që prej viteve '90. "Personeli i urgjencës gjithmonë është në gatishmëri për të përballuar edhe situata të rënda, e gjithë kjo me një specifikë të veçantë ku procedura e punës ndryshon tërësisht nga ajo e pavijoneve", thuhet në letrën dërguar drejtorisë. Ajo mban datën 13 janar të këtij viti. Por me gjithë interesimin e stafit ende nuk është marrë asnjë përgjigje për të rishikuar statusin e tyre. Sipas personelit, urgjenca kirurgjikale është e vetmja ndër urgjencat e tjera të spitalit e ku vështirësia e punës së infermierëve vlerësohet njësoj si kolegët e pavijoneve. Në këtë urgjencë paraqiten çdo ditë mesatarisht 50 pacientë. Pjesa më e madhe e tyre me plagë të ndryshme në trup, ku përfshihen plagosjet me armë e aksidentet.