Ndryshojnë fondet për ministrin Ruli
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është përfshirë në disa ndryshime fondesh të buxhetit 2008. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e radhës, duke i hapur rrugë rritjes së investimeve për dikasterin e drejtuar nga Genc Ruli. Konkretisht, qeveria vendosi për rishpërndarje fondesh në buxhetin e miratuar për vitin 2008, për Ministrinë e Ekonomisë, duke i ndarë në disa kategori, ku më tepër përfituan sektori minerar me 21 milionë lekë dhe programi "Mbështetje për mbikëqyrjen e tregut dhe infrastrukturën e cilësisë", me 5 milionë lekë. Nga këto shtesa do ta "pësojë" programi "Mbështetje për zhvillim ekonomik", zëri "Shpenzime kapitale, të brendshme", të cilit i pakësohet fondi me 26 milionë lekë.