E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeten pa pension paaftësie 2500 persona

21/12/2011  Mbaruan fondet për dhjetorin. Bashkia: Zgjidhja në dy javët e para të janarit

ELBASAN- Rreth 2500 persona nuk do kenë mundësi të marrin pagesë paaftësie në muajin dhjetor në Bashkinë e Elbasanit. Drejtori i Shërbimeve Sociale pranë kësaj bashkie, Armand Shehu thotë se për shkak të mungesës së fondit paratë për këtë muaj të gjithë përfituesit do t’i marrin në janar bashkë me 25% të pagesës së nëntorit.

Pa pension...

“Mungesa ka ardhur se fondet kanë qenë të limituar vetëm për personat në fillim të vitit. Numri i personave që përfitojnë paaftësi vjen në rritje dhe nuk ka pasur fond rezervë për personat që janë shtuar duke krijuar këtë boshllëk në fund të vitit. Edhe pse ne kemi lajmëruar me disa shkresa të vazhdueshme Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, por si përgjigje kemi marrë se nuk ka fonde. Kjo ka ardhur pasi ministritë nuk kanë pasur buxhet të dytë për të rishpërndarë në fund të vitit dhe nuk ka pasur një fond rezervë për rastet kur rritet numri i përfituesve”, tha Shehu. Vetë personat me paaftësi dhe kujdestarët, ndërsa marrin këtë përgjigje në bashki thonë se ata nuk do të kenë mundësi të festojnë festat, pasi nuk kanë marrë as pensionin që ju takon e jo më ndonjë shpërblim. Ata thonë se marrin përgjigje nga më të ndryshmet, por fakt është që nuk do të marrin pagesën e këtij muaji dhe nuk do të festojnë me familjet e tyre festat si të gjithë njerëzit normalë. Edhe njësi të tjera vendore në qarkun e Elbasanit janë përballur me këtë problem. Konkretisht Bashkia e Gramshit për muajin tetor ka shpërndarë 300 lekë të reja për familjet me ndihmë ekonomike, ndërsa për muajt nëntor e dhjetor nuk ka më fonde. Drejtuesit aktualë në këtë bashki ngarkojnë me përgjegjësi drejtuesit e mëparshëm që sipas tyre kanë shpërndarë më shumë seç duhet ndihmën ekonomike duke e lënë arkën e bashkisë bosh.

Fier

Vonon ndihma ekonomike për 768 familje

FIER- Vonon shpërblimi për 768 familjet për ndihmën ekonomike në qytetin e Fierit. Me gjithë miratimin e vendimeve si nga Këshilli Bashkiak dhe prefektura Fier fondi për ndihmën ekonomike nuk është shpërndarë. Për drejtorin e Drejtorisë së Ndihmës Ekonomike në Bashkinë Fier, Agron Margilaj, fondi i financimeve për këtë qëllim nuk është çliruar nga Ministria e Financave, ndërsa pritet vetëm urdhri i tyre. “Janë 768 familje në Fier, thotë Margilaj, që varfëria i ka detyruar të mbajnë “sytë” nga fondi i lëmoshës së qeverisë që edhe ato pak para nuk po i marrin. Sidomos tashmë për festat e fundvitit ky rast është edhe më i dhimbshëm po të mendosh se ke të bësh me një varfëri totale të familjeve që kanë nevojë. Ky fond nuk është lëvruar në kohë për shkak të vonesave të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Baskisë Fier për arsye politike dhe procese gjyqësore. Sigurisht kjo ka rënduar në supet e këtyre familjeve më të varfra”. Prej 4 muaj me radhë fondi për ndihmën ekonomike nuk është dhënë për këto familje për arsye të bllokimit të vendimeve në Këshillin Bashkiak. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›