Apeli, burgim të përjetshëm për vrasësin e trefishtë
01/06/2005 TIRANË – Përfundimisht, vrasësi i gruas, djalit dhe vëllait dënohet nga Gjykata e Apelit me burgim të përjetshëm. Vendimi u dha dje në mesditë, ndërsa ankimi ishte bërë nga avokati mbrojtës. Për Apelin, Pelivan Hysenaj e ka kryer vrasjen me paramendim. Në këto kushte, kërkesa e avokatit për të ndryshuar kualifikimin e veprës penale, nuk u pranua. Sipas avokatit Hysenaj, e ka kryer vrasjen brenda në familje në kushtet e tronditjes së fortë psikike. Por kjo tezë nuk u mor parasysh, pasi i pandehuri e bëri gjithçka me paramendim. Fillimisht ai e mori gruan dhe e çoi te varri i nënës në fshatin e lindjes, së bashku me djalin. Më pas i tregoi shkakun e vërtetë, duke e goditur me thikë dhe lënë të vdekur në vend. Pasi vrau gruan, Hysenaj qëlloi me thikë edhe mbi djalin e vogël, duke e tërhequr më pas zvarrë. I fundit që ra në duart e Hysenajt ishte vëllai i tij, Gëzim Kurjani. Vepër e kryer me gjakftohtësi dhe pa u ndikuar nga ndonjë depresion nervor. Kështu e përkufizoi gjykata të pandehurin Pelivan Hyseni, i cili për shkak të xhelozisë së tepruar vrau gruan me katër thika në kraharor, djalin me tri thika dhe në fund vëllain me katër thika. Nuk u kënaq, por pas vrasjes së gruas i vë flakën me benzinë. Për këto vrasje makabre, edhe prokurori i kërkoi gjykatës dënimin e të pandehurit me burgim të përjetshëm, duke shtuar që vuajtja e këtij dënimi të bëhet në një nga burgjet e sigurisë së lartë. Ngjarja ndodhi në datën 7 mars 2004. Sipas gjykatës, ditën e ngjarjes, i pandehuri që sapo kishte ardhur nga Greqia, merr bashkëshorten e tij Fatbardha dhe djalin Argys, duke i thënë se do të shkonin te varri i nënës në Ballsh. Gjithçka e ka kryer me paramendim. I pandehuri dyshonte se gruaja e tij e tradhtonte me vëllain Gëzim Kurjani. Kur mbërrijnë në Ballsh, shkojnë te varri. Pelivan Hysenaj i thotë gruas se kishte mësuar lidhjen e saj me vallain, Gëzim Kurjani. Nuk debaton shumë, menjëherë e godet me thikë në gjoks. Më pas merr një shishe me benzinë që kishte fshehur në shkurre dhe i vë flakën. Në këto momente, djali i vogël, Argysi, ka kundërshtuar. Duke e marrë për dore është larguar disa metra larg nga gruaja e djegur.