E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trupi i gjermanit Bradman drejt Spanjës,vuante nga depresioni dhe mania

01/06/2005  Trupi i pajetë i drejtorit të menaxhimit të hotel "INTERNACIONAL", 58-vjeçari Piter Bradman, që u gjet i vdekur disa ditë më parë, në vaskën e apartamentit të tij, është tërhequr nga morgu i Tiranës të hënën. Ka qenë vajza e tij, e shoqëruar nga bashkëshorti, ata të cilët kanë mbërritur prej të shtunës së javës së kaluar në kryeqytetin shqiptar dhe kanë transportuar drejt vendlindjes trupin e Bradman. Nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, mësohet se trupi i Bradman mund të jetë transportuar drejt Spanjës, ku mendohet të jetë edhe banesa e tij e fundit. Kjo, pasi edhe vajza e tij banonte në Spanjë. Ndërkaq, nga hetimet e Prokurorisë, është konkluduar paraprakisht se vdekja e Bradman ka ndodhur për shkak të mospërballimit të dozës së barnave që ai ka pirë. Por ende priten rezultatet përfundimtare të ekspertizës, pohojnë burimet e Prokurorisë. Ato shtojnë se nga këqyrja e vendit të ngjarjes, apartamentit të Bradman, është vërejtur se ai ishte një njeri i veçantë. Kjo për shkak edhe të modifikimit të veçantë të apartamentit të tij. Ai kishte eliminuar thuajse të gjitha mjetet ndriçuese, pohojnë burimet, të cilat saktësojnë se dyshohet që Bradman të ketë vuajtur nga disa mani jo të zakonshme. Ndërsa në sirtaret e tij janë gjetur vetëm tri çokollata dhe disa shishe uji, të cilat ishin i vetmi ushqim i tij. Sipas Prokurorisë, 58-vjeçari vuante nga sëmundje të depresionit dhe kurohej rregullisht. Gjithashtu ai dyshohet të ketë vuajtur edhe nga anoreksia, përfundojnë burimet. E.H.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›