Musho, kërkesë në gjykatë për ç’bllokimin e parave në bankat shqiptare
01/06/2005 Agim Musho, ish-bosi i kompleksit “Bruno” dhe bashkëshorti i Irena Selit, ka përcjellë një kërkesë në Gjykatën e Tiranës, me anë të avokatit të tij, për ç'bllokimin e pasurisë. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë gjykatës, të cilat thanë se në kërkesën e tij, Musho ka kërkuar që t’i hiqet sekuestroja nga paratë e depozituara në bankat e Shqipërisë. Kjo, pasi i nevojiten për të vazhduar jetën së bashku me fëmijët. Ai ka pretenduar në kërkesë se ka dy fëmijë, të cilët ndjekin studimet në Gjermani dhe se i nevojiten ato para për të përballuar koston e shkollës. Musho, bashkëshorti i Irena Selit, që rezulton e zhdukur që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar, e ka kundërshtuar që në fillim sekuestrimin e parave dhe të pasaportave. Në fillim të shkurtit, pas mbërritjes nga Gjermania, Musho u paraqit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda së bashku me të birin, Brunon. Prokuroria vendosi t'u bllokojë të dyve pasaportat, të cilat më vonë ua ktheu. Ndërkaq, organi i hetimit vendosi të ngrijë edhe paratë e depozituara nga Agim Musho dhe Irena Seli, në bankat shqiptare. Burime të akuzës thanë atëherë se sekuestrimi i parave ishte kryer për të verifikuar nëse Irena kishte tërhequr ndonjëherë para pas kohës që rezulton e zhdukur. Por, nga ky verifikim, nuk u konstatua ndonjë gjë e tillë, sqaruan burimet e Prokurorisë. Irena Seli rezulton e zhdukur që prej 16 dhjetorit të vitit 2004. Pas katër muajsh hetime, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka arritur ende të gjejë ndonjë gjurmë të saj.