E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nëna e Maksutit, e fal çiftin Marku që më shiti vajzën

01/06/2005  TIRANË – Merjeme Maksuti, nëna e Leonora Maksutit, vajzës së shfrytëzuar si prostitutë në Sarandë, Greqi e Gjermani, nuk ka qenë e pranishme në sallën e gjyqit. Kërkimet e policisë saktësuan se dëshmitarja në procesin kundër të pandehurve Marie e Lazim Marku, burrë e grua nga Lezha, është larguar për në Greqi. Në këto kushte, prokurori lexoi deklarimet e bëra nga dëshmitarja në datat 12 nëntor 2003 dhe 5 prill 2004. Ndërsa në deklarimin e parë, dëshmitarja nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me largimin e vajzës së saj nga shtëpia, në deklarimin e dytë ka pohuar emrat e të pandehurve. Është shprehur para policisë gjyqësore se kur ka folur me vajzën në telefon, mësoi për fatin e saj. Sipas deklarimeve të Merjemes, vajza i është larguar nga shtëpia, pasi është ndarë me bashkëshortin në mesin e vitit 2001. Maksuti i ka thënë nënës së vet në telefon se ka qëndruar për disa kohë në Sarandë në shtëpinë e çiftit Marku, e më pas është larguar në Greqi. Po kështu, dëshmitarja ka pranuar se kishte dijeni për punën që ka bërë vajza si prostitutë, por nuk ka qenë dakord për dënimin e çiftit Marku. "Edhe në qoftë se Maria dhe Lazimi e kanë marrë vajzën në Sarandë për të punuar si prostitutë, unë ia kam falë. Marrëdhëniet tona janë të mira". Kjo është deklarata që ka dhënë nëna e vajzës në prill të vitit të kaluar para oficerëve të policisë gjyqësore. Ndërkohë, e pandehura Marie Marku kishte dëshirë ta dëgjonte në sallën e gjyqit këtë deklaratë. Sipas të pandehurës, vajza e Merjeme Maksutit i kishte lënë në shtëpi djalin e vogël dhe ishte larguar me një burrë për në Greqi. Ndërsa djali i saj është rritur nga vajza 10-vjeçare e çiftit Marku, që tani së bashku me vëllain rrinë në jetimoren e qytetit. Leonora Maksuti, sipas akuzës, u shit për 50 mijë lekë në Sarandë, më pas kaloi në rrugët e Athinës për të përfunduar në Gjermani, ku u kap me dokumente të falsifikuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›