E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjobëvënësit “diplomatë” i “volën” për 4 vjet biznesmenët

01/06/2005  Dyshohet se vëllezërit Ismailati kishin filluar gjobat, pak pas fillimit të punës në dy ministritë

Dy vëllezërit Andi dhe Altin Ismailati, në bashkëpunim me të punësuarit si roje në parkingun e tyre, Jani Tafa dhe Doris Hoxha, dyshohet se u kanë vjelur gjoba biznesmenëve të Tiranës së Re, për katër vite me radhë. Ky fakt është siguruar nga dëshmitë e personave të dëmtuar prej tyre, të cilët kanë pohuar se për rreth katër vite me radhë ka vazhduar e njëjta situatë. Kohë në të cilën, sipas verfikimeve, rezulton që ata të kenë qenë me detyrë shtetërore si shoferë pranë Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Financave. Sipas dëshmive të mbledhura nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka rezultuar se katër të akuzuarit kanë vendosur gjoba në këtë zonë të Tiranës, të paktën për katër vite. Dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, ata kanë kërcënuar edhe me anë të detyrës shtetërore që ushtronin, si shoferë pranë dy ministrive. Ndërkaq, të dëmtuarit kanë pohuar se kanë pasur frikë që të denonconin më parë dhe se ende shumë prej pronarëve të lokaleve që janë gjobitur nga vëllezërit Ismailati, nuk kanë denoncuar.

Vitet e gjobave

Hetimet ndaj dy vëllezërve gjobëvënës, Andi dhe Altin Ismailati, kanë nxjerrë në pah gjithë aktivitetin e tyre të dyshuar kriminal disa vjeçar. Nga hetimet e deritanishme, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur dyshimet se bëhet fjalë për një periudhë të paktën katërvjeçare të vjeljes së gjobave kundrejt kërcënimeve ndaj pronarëve të lokaleve dhe dyqaneve të Tiranës së Re, në zonën pranë hotel “Diplomatit” deri në kryëzimin e Unazës së Re. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se nga marrja në pyetje e të dëmtuarve dhe banorëve të tjerë të zonës, është konstatuar se vëllezërit Ismailati kishin të paktën katër vjet që u vendosnin gjoba biznesmenëve të mesëm në Tiranë të Re. Por, ende nuk është arritur të provohen këto dyshime, pasi të dëmtuarit nuk kanë preferuar të dëshmojnë para gjykatës, theksojnë burimet e akuzës. Madje, pronarët e dyqaneve kanë pohuar se nuk kanë denoncuar më parë, pasi ndiheshin të pasigurtë dhe të kërcënuar nga vëllezërit Ismailati. Këta të fundit i kërcënonin edhe me anë të detyrës, duke u thënë biznesmenëve se do t'u mbyllnin aktivitetin nëse nuk paguanin paratë e kërkuara, pohojnë burimet e Prokurorisë. Ndërkaq, burimet thonë se nga hetimet është konkluduar se numri i biznesmenëve të gjobitur nga vëllezërit Ismailati është më i madh, por duket se ata kanë frikë të dëshmojnë para gjykatës.

Hetimi

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nxjerrë në dritë gjithë funksionimin e vënies së gjobave nga ana e Andi dhe Altin Ismailatit. Burimet pohojnë se dhuna dhe vjelja e gjobave ndaj pronarëve të dy farmacive dhe një dyqani parketesh pranë hotel “Diplomatit”, ka vazhduar për katër muaj me radhë. Gjatë kësaj kohe, nën kërcënime nga më të ndryshmet, ata u kanë kërkuar pronarëve për çdo muaj që të paguanin gjoba që arrinin shifrën e 200 mijë lekëve të vjetra. Ndërkaq, nga dëshmitë e mëvonshme që ka siguruar operativisht policia prej biznesmenëve të tjerë të gjobitur, janë ngritur dyshimet se vëllezërit Ismailati u merrnin para pronarëve të lokaleve që prej katër vitesh. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për një periudhë kohore gjatë së cilës ata kanë shërbyer si shoferë pranë Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Financave. Nga hetimet rezulton se si ndërmjetësa për vjeljen e gjobave kanë qenë dy rojet e parkingut, Jani Tafa dhe Doris Hoxha. Këta i kërcënonin pronarët e këtyre dyqaneve nën emrat e vëllezërve Ismailati. Ndërkaq, vetë dy vëllezërit dilnin në këto lokale dhe i kanosnin pronarët nën emrin e detyrës pranë ministrive, thonë burimet. Një ditë para arrestimit të tyre, policia gjeti të rrahur keq në spital dy farmacistë. Këta dy farmacistë nuk kishin shumë kohë që kishin hapur aktivitetin në këtë zonë, dhe nuk kanë pranuar të japin kaparin e përmuajshëm të vëllezërve Ismailati. Për këtë shkak, të ndihmuar edhe nga dy rojet, shoferët e ministrive që ishin të pajisur edhe me pasaporta shërbimi, i kanë rrahur me shqelma e grushta farmacistës, të cilët janë katandisur për në spital. Por ka qenë pikërisht ky incident, që ka bërë të mundur zbulimin e gjobëvënësve një javë më parë, përfundojnë burimet. Gjobëvënësit: “Paratë na takonin, u ruanim lokalet”

Katër të ndaluarit një javë më parë, nën akuzën e gjobëvënies në bashkëpunim në mënyrë të përsëritur, nuk e kanë mohuar atë që kanë kryer. Madje, ata kanë pretenduar para hetuesve se ato para u takonin dhe se pronarët të cilëve ua kishin marrë nën kërcënime, duhet t’i jepnin vetë. Burimet e Prokurorisë pohojnë se, dy vëllezërit Ismailati kanë pretenduar që ato para u takonin. Kjo për shkak se dy rojet e parkingut, njëkohësisht ruanin edhe dy farmacitë dhe dyqanin e parketeve që ishin mjaft afër. Ata u kanë argumentuar hetuesve se për shkak të rojeve që ata paguanin për parkingun, nuk kishin pasur probleme edhe dyqanet në fjalë. Kjo, pasi hajdutët u druheshin rojeve të parkingut dhe, për këtë gjë pronarët e këtyre dyqaneve u detyroheshin. Por, denoncuesit nga ana e tyre kanë shpjeguar se nuk u kishin kërkuar asnjëherë dy vëllezërve Ismailati që të ruanin dyqanet e tyre. Madje, ata kanë theksuar se, edhe kur në parking nuk kishte pasur roje, nuk kishin pasur ndonjëherë probleme me hajdutët, pasi dyqanet i kishin të siguruara. Ndërkaq, ata kanë sqaruar se vëllezërit Ismailati i kërcënonin vazhdimisht, duke u treguar edhe pozicionin e detyrës që kryenin, si shoferë pranë Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Financave. Ndërsa dy rojet e prakingut shkonin më shpesh që t’i kërcënonin, duke u thënë se nëse nuk jepnin lekë, do ta kishin punën keq me vëllezërit Ismailati.

Babai i vëllezërve Ismailati, shofer në Konsullatën shqiptare në Janinë

Duket se dy vëllezërit, Andi dhe Altin Ismailati, të akuzuar për gjobëvënie në bashkëpunim në mënyrë të përsëritur, kanë përvetësuar zanatin e babait të tyre. Nga burime të policisë së kryeqytetit është mësuar se, babai i tyre, Ilir Ismailati, së bashku me të shoqen Shpresën, janë rezidentë në Janinë të Greqisë. Burimet pohojnë se babai i dy vëllezërve të arrestuar prej kohësh, është i punësuar si shofer pranë Konsullatës shqiptare në Janinë. Ndërkaq, nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se, edhe dy djemtë e arrestuar të Ilir Ismailatit, deri në momentin e prangosjes, kanë qenë me detyrë si shoferë pranë dy ministrive. Andi Ismailati deri para pak ditësh ka qenë shoferë pranë Ministrisë së Jashtme, ndërsa vëllai i tij, Altini, shofer pranë Ministrisë së Financave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›