E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau për gjakmarrje, dënohet 25 vjet

10/01/2005  TIRANË – Ndok Gjeka u dënua dje me 25 vite burg. Vrau për gjakmarrje disa kohë më parë dhe menjëherë u zhduk nga vendi i ngjarjes. Prokurori Eugen Beçi, e deklaroi fajtor të pandehurin dhe kërkoi dënimin e tij me 25 vite heqje lirie.

Gjykata

Sipas gjykatës, Ndok Gjeka ka vrarë në vitin 1998 shtetasin Shtjefën Matia. Vrasja ka si motiv gjakmarrjen. Prej kohësh, i pandehuri ka pranuar se ka qenë në gjak me viktimën. Janë nga Lezha. Ndok Gjeka e ka vrarë Shtjefën Matin në afërsi të shtëpisë së tij. Vrasja, sipas vendimit të gjykatës është kryer, pasi i pandehuri e ka ruajtur për ditë të tëra. Është futur në një arë me misër dhe prej andej e ka qëlluar për vdekje. Viktima ka qenë djalë i ri.

Historia

Historinë e kësaj ngjarjeje e ka treguar para gjykatës më e moshuara e fisit të viktimës. Ajo është shprehur se kanë bërë disa herë tentativa për ta ndalur këtë vrasje e për t'u pajtuar, por më kot. Nga ana e tij, i akuzuari për kryerjen e vrasjes ka mohuar gjithçka. Nuk ka mohuar se ka qenë në gjak me familjen e Shtjefën Matisë, por ka mohuar autorësinë. E gjithë hakmarrja ka nisur për një grua. Shtjefën Matia, një ditë ka qenë i dehur. Pa dashur ai ka vrarë motrën e të pandehurit. Viktima, në gjendje të dehur, ka hedhur një granatë dhe nga shpërthimi ai ka humbur dhe njërën dorë. Por familja e Ndok Gjekës nuk ia fali këtë gjë viktimës. Megjithëse familja e viktimës bëri disa herë përpjekje për të mos vazhduar gjakmarrjen, duke thënë se vrasja ishte kryer aksidentalisht, i pandehuri nuk e pranoi një fakt të tillë.

Prita

Nëna e viktimës u shpreh para gjykatës se, disa herë e ka parë të pandehurin Ndok Gjeka dhe nipin e tij, në arat e familjes. Edhe ditën e vrasjes, i pandehuri Ndok Gjeka ka qëndruar i fshehur në arën me misër, pranë shtëpisë së viktimës. Ata kanë pritur aty deri sa viktima ka dalë nga shtëpia, e kanë qëlluar dhe më pas janë larguar pa lënë gjurmë. Sipas vendimt të gjykatës, i akuzuari Gjeka gjendet fajtor për krimin e vrasjes dhe për këtë arsye ai duhet të vuaj dënimin me 25 vite heqje lirie. Avokati i marrë nga Gjeka, ka kundërshtuar me të gjitha mënyrat si akuzën, ashtu edhe provat e sjella prej saj, por në fund, argumentet e tij u quajtën të pabazuara. Vetë të pandehurin e ka njohur në gjykatë, nëna e viktimës, e cila ka treguar me hollësi se si morën disa herë mundimin për të shmangur gjakmarrjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›